Bukuria e fshatrave në dimër – Natyra e paprekur dhe traditat në Devollin e Sipërm
Fshatrat e Devollit të Sipërm, Sinica, Arrëza dhe Qyteza, mbeten ndër zonat më piktoreske për t’u vizituar gjatë stinës së dimrit. Dëbora u jep këtyre fshatrave një pamje të veçantë, ndërsa shtëpitë prej guri, të ndërtuara pranë njëra-tjetrës, krijojnë një atmosferë karakteristike dhe autentike.
Vizitorët që udhëtojnë drejt Devollit të Sipërm përballen me një realitet ndryshe, ku tradita dhe natyra bashkëjetojnë larg zhurmës së turizmit masiv. Banori i Sinicës, Dailan Hysolli, ka investuar në hapjen e një bujtine, duke kontribuar në zhvillimin e turizmit lokal. Sipas tij, zona vizitohet gjatë gjithë vitit, ndërsa gatimet tradicionale mbeten një nga arsyet kryesore që turistët rikthehen.
“Kryesit turist të huaj nga Evropa por edhe brenda Shqipërisë të cilët pëlqejnë vendin”, u shpreh një banor.
Edhe investimet në infrastrukturë kanë ndikuar në rritjen e numrit të vizitorëve. Afrim Memelli, gjithashtu banor i Sinicës, shprehet se turistët vlerësojnë arkitekturën tradicionale, natyrën e pastër dhe ujin karakteristik të zonës.
“Zakonisht turistët kërkojnë gatime tradicionale”, tha një tjetër banor.
Fshatrat e Devollit të Sipërm janë pjesë e zonave me pasuri të shumta kulturore dhe natyrore në Qarkun e Korçës. Me potencial të lartë për zhvillim turistik, këto fshatra po tërheqin gjithnjë e më shumë vëmendje, veçanërisht gjatë dimrit, kur shfaqen në formën e tyre më magjepsëse.
Gazetare: Geralda Manushi
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.





