Ministeriali për Korridorin VIII në Tiranë, Tajani: Nismë politike për forcimin e bashkëpunimit dhe integrimin në BE

Ekonomi | 9 muaj më parë

Në kuadër të Ministerialit për Korridorin VIII që po mbahet sot në Tiranë, Zv/Kryeministër dhe Ministër për Punët e Jashtme dhe Bashkëpunim Ndërkombëtar i Italisë, Antonio Tajani theksoi rëndësinë strategjike dhe politike të këtij projekti për rajonin dhe për Bashkimin Evropian.

Në fjalën e tij, Tajani nënvizoi angazhimin e Italisë për të mbështetur integrimin europian të rajonit, duke theksuar se procesi duhet parë si ribashkim dhe jo si zgjerim.

“Ne do të bëjmë maksimumin për t’ju ndihmuar që të jeni pjesë e Bashkimit Europian. Jam shumë i qartë për Ballkanin Perëndimor dhe gjithashtu për Ukrainën. Jemi në favor që Ukraina të jetë pjesë e BE-së, por përpara duhet të plotësojmë ribashkimin. Them ribashkim, nuk është zgjerim – ju jeni europianë”, deklaroi ai ndërsa shtoi se “më 30 mars do të kemi një takim të grupit të miqve të Ballkanit për të konfirmuar mbështetjen për ribashkimin e rajonit”.

Sipas tij, Korridori 8 përfaqëson një nismë politike për të forcuar bashkëpunimin mes vendeve të rajonit dhe për të mbështetur integrimin e tyre në Bashkimin Evropian.

“Korridori 8 është një nismë politike për të forcuar bashkëpunimin tonë dhe për të mbështetur integrimin e rajonit në BE. Prania jonë konfirmon angazhimin dhe bashkëpunimin për të forcuar marrëdhëniet në rajon. Presim me padurim për të çuar përpara punën që kemi nisur në Brindizi më 23″, theksoi ai.

Tajani theksoi gjithashtu se përfundimi i Korridorit VIII përbën një objektiv sigurie dhe një prioritet të përbashkët strategjik, duke shtuar se palët janë plotësisht të angazhuara për të hedhur hapa konkretë dhe të sigurt drejt realizimit të tij.

“Korridori 8 është një përparësi e përbashkët strategjike për ekonominë tonë dhe për sigurinë tonë. Jemi plotësisht të angazhuar për të hedhur hapa të sigurt për realizimin e tij”, tha ai.

/rtsh.al.


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme