Tensionohet situata në ish-Bllok: Protestuesit e PD hedhin molotovë dhe fishekzjarrë, policia kundërpërgjigjet me ujë dhe gaz lotsjellës

Situata në zonën e ish-“Bllokut” në Tiranë është tensionuar mbrëmjen e sotme, teksa protestuesit e Partisë Demokratike kanë vijuar marshimin e tyre në rrugët e kryeqytetit, duke hedhur molotovë dhe fishekzjarrë në drejtim të efektivëve të policisë.
Forcat e rendit janë kundërpërgjigjur me ujë me presion dhe gaz lotsjellës për të shpërndarë turmën.
Më herët, protestuesit hodhën molotovë edhe drejt vilës së ish-diktatorit Enver Hoxha, e cila pas restaurimit është shndërruar në një qendër arti që pret artistë vendas e ndërkombëtarë.
Flakët u panë në ballkonin dhe oborrin e godinës, ndërsa zjarri përfshiu një pjesë të saj. Autoritetet ndërhynë menjëherë duke përdorur ujë me presion për të neutralizuar zjarrin dhe për të parandaluar përhapjen e tij.
Gazetarja e RTSH, Jonida Omeri, raportoi se gjatë hedhjes së molotovëve ka pasur njerëz brenda godinës, të cilët janë detyruar të vrapojnë për t’u fshehur.
Nga ana tjetër, kreu i grupit parlamentar të PD, Gazment Bardhi, deklaroi se është e drejta e qytetarëve të reagojnë në revoltë “për sa kohë në vend janë rikthyer praktika diktatoriale”.
Ai akuzoi policinë se ka sulmuar qytetarët në mënyrë të paprecedentë me gaz lotsjellës.
Ndërkohë, Sali Berisha është larguar nga protesta me mjetin e tij, ndërsa sekretari i përgjithshëm i PD, Flamur Noka, u shfaq i lagur nga uji i hedhur nga policia.
“Çdo pushtet kur aplikon dhunën tregon se po ndjen fundin. Kjo që po zhvillojmë sot është një kryengritje paqësore, asnjë akt dhune. Barbarët e pushtetit të panikosur bëjnë terror rrugëve të Tiranës. Ne nuk ndalemi,” u shpreh Noka.
Protesta e opozitës vijon në qendër të Tiranës, me thirrjet “Rama ik” dhe përplasje të herëpashershme mes protestuesve dhe policisë. Situata mbetet e tensionuar dhe në zhvillim.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.



