“Programi i Talenteve Rinore”, financime dhe shpërblime për ekselencën shqiptare në botë

Arsim | 7 muaj më parë

Shteti shqiptar ka miratuar rregullat e reja për “Programin e Talenteve Rinore”, një nismë që do të menaxhohet nga Agjencia Kombëtare e Rinisë (AKR) dhe që synon të mbulojë shpenzimet e të rinjve që përfaqësojnë vendin në arenën ndërkombëtare, si dhe t’i shpërblejë ata financiarisht për medaljet e fituara.

Ky program zgjidh një ngërç të kahershëm, ku shpesh talentet e reja e kishin të pamundur të merrnin pjesë në kampionate apo olimpiada botërore për shkak të kostove të larta të udhëtimit.

Kush mund të përfitojë?

Për të qenë përfitues, kandidati duhet të jetë shtetas shqiptar që i përket grup-moshës rinore dhe të jetë përzgjedhur për të përfaqësuar Shqipërinë. Kriteret e pranimit janë rigoroze dhe përfshijnë të rinjtë e kualifikuar nga garat kombëtare të organizuara nga Ministria e Arsimit (p.sh. olimpiadat) apo nga Komiteti Olimpik dhe federatat sportive, të rinjtë e ftuar në aktivitete të organizuara nga organizata ndërqeveritare, top 100 universitetet më të mira në botë, kompanitë “Fortune 500”, ose rrjetet e Programit “Evropa Krijuese”, të rinjtë e përzgjedhur si delegatë zyrtarë rinorë në asamble ndërkombëtare.

Çfarë mbulon paketa financiare?

Sipas vendimit, programi ofron dy linja kryesore mbështetjeje, të cilat nuk i mbivendosen bursave apo sponsorizimeve të tjera shtetërore.

Mbulon biletat e udhëtimit (vajtje-ardhje) dhe kostot e akomodimit për ditët e veprimtarisë. Për të miturit ose personat me aftësi të kufizuara, programi mbulon tërësisht (100%) edhe shpenzimet për një person shoqërues.

Nëse i riu arrin të renditet në një nga tre vendet e para ose fiton një çmim kryesor në këto veprimtari ndërkombëtare, ai përfiton një bonus financiar nga shteti.

Prioritet për kategoritë e cenueshme

Një element thelbësor i këtij vendimi është vëmendja ndaj barazisë sociale. Të rinjtë me statusin e jetimit, personat me aftësi të kufizuara, viktimat e trafikimit, pakicat rome/egjiptiane dhe të rinjtë nga familje me ndihmë ekonomike gëzojnë prioritet absolut.

Për këtë kategori, programi shkon edhe më tej: mbulon edhe kosto shtesë si vizat, siguracionet shëndetësore, apo ushqimin, duke u shtuar një fond ekstra në masën 10% të vlerës së akomodimit.

Si do të bëhet aplikimi?

I gjithë procesi është konceptuar të jetë digjital nëpërmjet portalit e-Albania. Megjithatë, vendimi specifikon se “derisa ky modul elektronik të jetë plotësisht funksional, aplikimet do të pranohen fizikisht ose me email pranë AKR-së”.

Afatet janë strikte. Aplikimi për mbulimin e shpenzimeve duhet bërë jo më vonë se 30 ditë para nisjes së aktivitetit, ndërsa aplikimi për shpërblimin financiar (për çmimet e fituara) duhet bërë brenda 45 ditëve pas kthimit. AKR është e detyruar të hapë thirrjen zyrtare për vitin 2026 brenda muajit të ardhshëm.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme