Rimbursimi i ilaçeve, lehtësim dhe ulje çmimi për listën e barnave në skemë
Të moshuarit në Kukës janë ata persona që i gjen më shpesh pranë farmacive për të marrë ilaçet. Sëmundjet kronike, por edhe të tjera shoqëruese, kërkojnë mjekim të përhershëm, ndaj rimbursimi i tyre është i domosdoshëm.
Nga paketa e ilaçeve që u nevojiten, një pjesë nuk janë të përfshira në skemën e rimbursimit. Për shkak të pamundësisë financiare për t’i përballuar këto shpenzime, ata kërkojnë ndryshime në skemë.
Drejtori i Fondit të Detyrueshëm të Sigurimit të Kujdesit Shëndetësor në Kukës, Liman Morina, thotë se skema e rimbursimit ka pësuar ndryshime në vitin 2025, me ulje të çmimeve për medikamentet e rimbursueshme, ndërsa pritet të ketë edhe shtesa në listë dhe ulje të tjera çmimesh.
“Në përgjithësi, numri i ilaçeve për të cilat është bërë ndryshimi për vitin 2026 arrin në rreth 60 medikamente, të cilave u është ulur çmimi. Kjo ulje është në favor të pacientëve. Gjithashtu, në muajin prill pritet të bëhet edhe lista e re e ilaçeve të rimbursueshme, ku do të ketë shtim të llojeve të ilaçeve që do të përdoren nga pacientët, si dhe ulje të mëtejshme të çmimeve në shërbim të qytetarëve”, tha Morina.
Edhe pse ka rënie të numrit të popullsisë në Kukës dhe Has, numri i përfituesve në skemë rritet nga muaji në muaj.
Fondi i Detyrueshëm i Sigurimit të Kujdesit Shëndetësor në Kukës mbulon bashkitë e Kukësit dhe Hasit.
Gazetar: B. Muçmata
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.





