Bashkia Korçë mbështet artizanatin, synohet ruajtja e traditës dhe krijimi i një produkti turistik
Bashkia e Korçës synon të mbështesë industritë kreative të artizanatit dhe jo vetëm, duke i vendosur në zonën e pazarit të vjetër të Korçës, aty ku të interesuarit jo vetëm do të kenë mundësinë të prodhojnë produktet e tyre, por nga ana tjetër do t’i shërbejnë edhe turizmit të eksperiencës.
“Se pari do të mbështesim këtë traditë të artizanatit, individët apo edhe bizneset që merren me këtë industri kreative. Së dyti, të kemi mundësi të ndërtojmë një produkt turistik, të turizmit dhe eksperiencës”, u shpreh Kryetari i Bashkisë Korçë, Sotiraq Filo.
Projekti ka marrë edhe miratimin e këshilltarëve bashkiakë në një mbledhje jashtë radhe, ku u vendos që me një fond prej 4 milionë lekësh të mbështetet ky projekt, duke siguruar disa ambiente në pazarin e vjetër të Korçës, të cilat do të merren me qira për mbështetjen e artizanatit.
“Duam të marrim me qira një grup objektesh në Pazarin e vjetër të Korçës, dhe nëpërmjet një procesi përzgjedhjeje të vendosim individë apo biznese që operojnë në fushën e artizanatit apo të industrisë kreative, që është koncept më i gjerë. Duam që këto biznese të jenë të vizitueshme nga turistët, jo thjesht pika shitjeje”, tha kryebashkiaku.
Nëpërmjet kësaj ideje që do të vihet në jetë së shpejti, bashkia synon jo vetëm ruajtjen e traditës korçare të artizanatit, por edhe krijimin e një produkti turistik që do të sjellë edhe më shumë vizitorë në qytetin e Korçës.
Gazetare: K. Koçi
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.





