Vendimi i qeverisë, krijohet Agjencia Kombëtare e Shërbimeve Arsimore. Kumbaro: Do të përfshijë të gjitha testimet dhe provimet shtetërore, kombëtare dhe ndërkombëtare

Në mbledhjen e sotme të qeverisë u miratuan ndryshimet ligjore për transformimin e Qendrës së Shërbimeve Arsimore në Agjencinë Kombëtare të Shërbimeve Arsimore.
Pas mbledhjes, ministrja e Arsimit, Mirela Kumbaro, deklaroi për mediat se kjo agjenci do të ketë një status autonom për të rritur pavarësinë e saj për një paketë shumë të rëndësishme.
“Qeveria shqiptare miratoi një projektligj që është produkt i rëndësishëm ligjor dhe organizativ i Ministrisë së Arsimit. Me projektligjin që miratuam sot krijojmë Agjencinë Kombëtare të Shërbimeve Arsimore. Kjo agjenci do të ketë një status autonom për të rritur pavarësinë e saj për një paketë shumë të rëndësishme shërbimesh, të cilat pjesërisht sot propozohen, garantohen dhe ofrohen nga një institucion që varet nga Ministria e Arsimit dhe quhet Qendra e Shërbimeve Arsimore.”
Ministrja Kumbaro sqaroi se kjo agjenci do të përfshijë të gjitha testimet dhe provimet shtetërore, kombëtare dhe ndërkombëtare që zhvillohen në Shqipëri, si matura shtetërore dhe portalet për mësuesit, por edhe testime për profesione të tjera të rregulluara, përfshirë infermierët, mjekët, psikologët dhe fizioterapistët. Ajo shtoi:
“Është e njëjta qendër që ofron gjithë shërbimin e digjitalizuar për njohjen e diplomave në të dyja kahet, qoftë për diplomat e huaja që futen në përdorim në sistemin e punësimit në Shqipëri, apo anasjelltas.”
Ministrja theksoi se projekti ligjor do të rrisë cilësinë, transparencën dhe autonominë e agjencisë, duke e mbajtur larg çdo ndikimi politik dhe duke garantuar meritokracinë në shërbimet që ajo do të ofrojë.
Kumbaro njoftoi gjithashtu se po planifikohen investime për zgjerimin e kapaciteteve të agjencisë, në mënyrë që të mund të realizohen testime masive për një numër të madh personash që kërkojnë licenca dhe certifikime.
“Ky projektligj do të kalojë së shpejti në Kuvend dhe pastaj do marrë formën përfundimtare, i shoqëruar edhe me investimet infrastrukturore në një nga ndërtesat publike që e kemi të identifikuar në zonën e Kamzës”, tha Kumbaro.
Ministrja informoi gjithashtu se në mbledhje u miratuan edhe tre vendime të Këshillit të Ministrave lidhur me ligjin për shkencën, institucionet dhe kategoritë e pagave dhe shpërblimeve në institucionet shkencore.
“Kemi edhe tre vendime të këshillit që u miratuan sot në Këshillin e Ministrave, dy prej të cilave janë detyrime ligjore për ligjin e shkencës të miratuar në vitin 2024 dhe për dy kapitujt e parë të arsimit që do të mbyllen në negociata me BE. Konkretisht, është VKM që ka të bëjë me metodologjinë e vlerësimit të institucioneve kërkimore shkencore. Edhe agjenci të tjera publike do të kenë mundësi të hapin institute kërkimore. VKM-ja tjetër përkufizon kategorinë e pagave dhe shpërblimeve sipas kategorisë së kërkuesit shkencor.”
Ministrja përmendi edhe vendimin e fundit të miratuar, që ka të bëjë me menaxhimin e bazës së të dhënave të kërkimit shkencor dhe provimeve kombëtare dhe ndërkombëtare. Sipas saj, “plotëson një vendim të mëparshëm, por me kompetenca të qarta, administruar nga Ministria e Arsimit, Qendra e Shërbimeve Arsimore dhe AKSHI.”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.





