Qeveria miraton kompensimin e transportit për ushtarakët, Nufi: Hap drejt kushteve më dinjitoze dhe standardeve të NATO-s

Aktualitet | 6 muaj më parë

Qeveria ka miratuar sot një vendim për kompensimin e transportit të ushtarakëve aktivë të Forcave të Armatosura, me synim përmirësimin e kushteve financiare dhe përafrimin me standardet e strukturave të tjera ligjzbatuese.

Gjatë prezantimit të këtij vendimi, ministri i Mbrojtjes, Ermal Nufi, u shpreh se bëhet fjalë për një përmirësim të kuadrit ekzistues të trajtimit financiar për ushtarakët.

“Sot miratuam një VKM që lidhet me përcaktimin e kritereve dhe masave të kompensimit të transportit të ushtarakut aktiv të Forcave të Armatosura. Ky vendim vjen si domosdoshmëri për përshtatjen e legjislacionit në fushën e mbrojtjes në përputhje edhe me forca të tjera siç janë policia apo organe të tjera ligjzbatuese”, tha Nufi.

Sipas tij, zbatimi i këtij vendimi do të përkthehet në përmirësim konkret të kushteve për ushtarakët, sidomos për ata që shërbejnë në misione jashtë vendit.

“Në zbatim të tij, ky vendim përkthehet në kushte më dinjitoze për ushtarakët tanë, veçanërisht për ushtarakët që na përfaqësojnë në misione të huaja”, deklaroi ai, duke theksuar edhe rolin e tyre si përfaqësues të Shqipërisë në arenën ndërkombëtare.

Ministri theksoi gjithashtu se sektori i Forcave të Armatosura ka shënuar rritjen më të lartë të pagave në vend.

“Nga të dhënat e INSTAT, në fund të vitit 2025, rritja më e lartë e pagave është regjistruar në Forcat e Armatosura me 10.6%”, tha Nufi.

Ai shtoi se objektivi i qeverisë është që deri në vitin 2029 të arrihen nivele pagash të krahasueshme me vendet e NATO-s.

“Jemi në kushte që me këtë projektvendim i afrohemi objektivit tonë që në 2029 të arrijmë mesataren e vendeve anëtare të NATO-s, me një rritje prej 60–70% të nivelit bazë dhe 30–40% për nivelet e larta të komandimit”, u shpreh ministri.

Sipas tij, Shqipëria renditet tashmë ndër vendet me paga mesatare më të larta në rajon për këtë sektor.


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Të ngjashme