Siguria dhe ndryshimet globale, Kurti: Do ngremë Xhandamërinë, duhet qasje e re ndaj kërcënimeve

Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, ka paralajmëruar ndryshime në qasjen ndaj sigurisë kombëtare, duke propozuar krijimin e një force të re të specializuar, Xhandarmërisë së Kosovës. Sipas tij, zhvillimet e fundit në rajon dhe rritja e kërcënimeve të organizuara kërkojnë mekanizma më të avancuar për mbrojtjen e territorit dhe rendit kushtetues.
Në një konferencë të përbashkët me ministrin e Brendshëm në detyrë, Xhelal Sveçla, Kurti tha se situata e sigurisë ka hyrë në një fazë të re, ku sfidat nuk lidhen vetëm me kriminalitetin klasik, por edhe me grupe të armatosura, kontrabandë ndërkufitare dhe përdorim të teknologjive moderne për destabilizim.
“Gjendja e sigurisë në nivel global, rajonal, por edhe në Republikën e Kosovës po evoluon me shpejtësi. Sfidat kryesore përfshijnë grupet e armatosura me organizim paraushtarak dhe kontrabandën e vazhdueshme me armë dhe mallra përgjatë vijës së gjelbër kufitare. Me qëllim të adresimit të këtyre sfidave, themelimi i Xhandarmërisë si strukturë e re e specializuar, moderne dhe e disiplinuar është domosdoshmëri e kohës. Xhandarmëria do të ketë një mandat të qartë: sigurimi i vijës kufitare tokësore, ujore dhe ajrore, operacione kundër grupeve të armatosura, luftimi i kontrabandës ndërkufitare dhe sigurimi i infrastrukturës kritike”, tha Kurti.
Sipas planit të prezantuar, Xhandarmëria do të ketë përgjegjësi për mbikëqyrjen e kufijve tokësorë, ajrorë dhe ujorë, luftimin e kontrabandës, ndërhyrjet kundër grupeve të armatosura si dhe mbrojtjen e infrastrukturës kritike shtetërore.
Kurti bëri të ditur se modeli i propozuar mbështetet në praktikat e disa vendeve evropiane që tashmë kanë struktura të ngjashme të sigurisë. Ai shtoi se një grup punues tashmë është angazhuar për analizimin e aspektit ligjor dhe operacional të formimit të kësaj force, ndërsa projektligji pritet të procedohet në Kuvend pas zgjedhjeve të 7 qershorit.
“Modeli i Xhandarmërisë është praktikë e dëshmuar evropiane, si në Francë, Itali, Turqi, Spanjë dhe Portugali. Grupi punues është duke analizuar të gjitha aspektet e formimit të Xhandarmërisë. Themelimi i saj do të bëhet me ligj të veçantë në Kuvendin e Republikës së Kosovës”, tha Kurti.
Kurti theksoi se ngjarjet e viteve të fundit, sidomos në veri të Kosovës, kanë treguar nevojën për një strukturë që do të veprojë mes kompetencave të Policisë së Kosovës dhe Forcës së Sigurisë së Kosovës.
“Policia e Kosovës ka bërë dhe vazhdon të bëjë punë të jashtëzakonshme. Megjithatë, ajo ka mandat sigurimin e rendit publik, parandalimin dhe hetimin e krimit. Kemi pasur sulme të vazhdueshme gjatë viteve të fundit, në veçanti në veriun e vendit, ndaj institucioneve të Republikës së Kosovës, Policisë së Kosovës, qytetarëve dhe misioneve ndërkombëtare”, tha ai.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




