Turi ballkanik/ Presidenti i KiE, Antonio Costa viziton sot Prishtinën, takime me Haxhiun, Kurtin dhe opozitën

Pas vizitave në Sarajevë dhe Tiranë, Presidenti i Këshillit Evropian, Antonio Costa, do të udhëtojë këtë të mërkurë (3 qershor) drejt Prishtinës, ku do të zhvillojë takime me Presidenten në detyrë, Albulena Haxhiu, kryeministrin Albin Kurti dhe krerët e opozitës kosovare.
Një ditë më parë, Costa vizitoi Shqipërinë, ku u prit nga Kryeministri Edi Rama dhe Presidenti Bajram Begaj.
Gjatë këtyre takimeve, Presidenti i Këshillit Evropian vlerësoi progresin e Shqipërisë në procesin e integrimit evropian dhe vendosmërinë e treguar në rrugën drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian.
Costa theksoi gjithashtu ecurinë pozitive të vendit në negociatat me BE-në, përfshirë mbajtjen e Konferencës së 8-të Ndërqeveritare BE–Shqipëri, e cila konfirmoi përmbushjen e kritereve ndërmjetëse për Kapitullin 1, “Themeloret”.
Në kuadër të turit të tij ballkanik, pas vizitës në Prishtinë, Costa do të udhëtojë të enjten (4 qershor) në Beograd dhe më pas në Mal të Zi.
Gjatë qëndrimit në Serbi, ai pritet të zhvillojë takime me Presidentin serb Aleksandar Vučić dhe Kryetaren e Parlamentit, Ana Brnabić.
Turneu do të vijojë mbrëmjen e së enjtes në Mal të Zi, ku Costa do të marrë pjesë në një darkë zyrtare të organizuar nga Presidenti Jakov Milatović në Tivat, me rastin e 20-vjetorit të rivendosjes së pavarësisë së vendit.
Më 5 qershor, aktivitetet do të përqendrohen te Samiti BE–Ballkani Perëndimor në Tivat, i cili do të zhvillohet nën temën: “Prosperiteti dhe stabiliteti i përbashkët i BE-së dhe Ballkanit Perëndimor”.
Sipas protokollit zyrtar, pas përfundimit të sesioneve të samitit do të mbahet një deklaratë e përbashkët për median.
“Më 5 qershor, në orën 15:30, Presidenti Costa do të bashkëkryesojë konferencën përmbyllëse për shtyp së bashku me Presidenten e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, dhe Presidentin malazez, Jakov Milatović”, thuhet në njoftimin zyrtar.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




