Antonio Costa në Prishtinë: BE mbështet Kosovën, partneriteti ynë vjen me përgjegjësi

Nga Kosova, ku takoi presidenten në detyrë Albulena Haxhiu, kryeministrin në detyrë Albin Kurti dhe liderët e partive opozitare, presidenti i Këshillit Evropian Antonio Costa theksoi se ndodhet në Prishtinë për të riafirmuar mbështetjen e vazhdueshme të BE-së për atë vend.
Në një postim në X, zyrtari i lartë evropian u ndal edhe tek zgjedhjet e së dielës duke thekuar se inkurajon liderët politikë që integrimin në Bashkimin Evropian ta vendosin si prioritet duke tejkaluar edhe dallimet politike mes tyre.
“Ndërsa Kosova shkon drejt zgjedhjeve këtë fundjavë, mesazhi im është i thjeshtë, partneriteti ynë vjen me përgjegjësi. Inkurajoj liderët politikë që ta vendosin integrimin në BE si prioritet, përtej dallimeve politike dhe të punojnë së bashku drejt këtij qëllimi të përbashkët. Kosova ka nevojë për institucione të forta, të qëndrueshme dhe funksionale, të afta për të zbatuar reforma, për të shfrytëzuar mundësitë që ofron Bashkimi Evropian dhe për të përmbushur të gjitha angazhimet lidhur me dialogun Beograd- Prishtinë”- thuhet në mesazhin e tij.
Costa qëndroi në Prishtinë pas vizitave të zhvilluar më herët në Shqipëri, Bosnje dhe Maqedoninë e Veriut. Gjatë vizitës në Shkup, presidenti i Komisionit Evropian theksoi se vendi duhet të vijojë me miratimin e ndryshimeve kushtetuese për të përparuar me hapjen e negociatave me BE-në. Antonio Costa po viziton vendet e rajonit në prag të samitit BE- Ballkani Perëndimor që mbahet më 5 qershor në Tivat të Malit të Zi.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




