Voton diaspora e Kosovës, 30 përfaqësi diplomatike hapin dyert për mbi 27 mijë të regjistruar

Kosovë | 4 muaj më parë

17 ambasada dhe 13 konsullata të Kosovës në 18 shtete kanë hapur dyert nga ora 07.00 e mëngjesit për të pritur qytetarët e regjistruar nga diaspora që kanë zgjedhur këtë mënyrë votimi. Procesi zgjat deri në orën 19.00 të mbrëmjes së sotme.

“Ftojmë të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës që janë regjistruar për të votuar jashtë vendit, të marrin pjesë në procesin zgjedhor dhe të ushtrojnë të drejtën e tyre demokratike për të votuar. Pjesëmarrja juaj në zgjedhje është një kontribut i rëndësishëm për demokracinë dhe të ardhmen e vendit tonë”, – thuhet në njoftimin e Ministrisë së Jashtme të Kosovës.

Sipas Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, 27 mijë e 724 shtetas janë regjistruar për të votuar në 30 përfaqësitë diplomatike të Kosovës.

Ndërkohë, sot përfundon edhe procesi i votimit përmes postës për mbi 104 mijë votues të regjistruar jashtë vendit.

Pas përmbylljes së procesit, të gjitha fletëvotimet e mbledhura në ambasada, konsullata dhe përmes postës do të transportohen në Kosovë, ku do të bëhet numërimi i tyre.

Ndërkaq institucioni i zgjedhjeve bëri me dije gjithashtu se po shpërndahet materiali zgjedhor në  të gjithë vendin, ku përfshihen fletëvotimet, listat përfundimtare të votuesve dhe vulat, të cilat vendosen në Qendrat Komunale të Numërimit dhe të dielën, para nisjes së votimit, do të dërgohen në Qendra të Votimit.

Të dielën  qytetarët e Kosovës do t’u drejtohen kutive të votimit për të zgjedhur përbërjen e re të Kuvendit dhe qeverinë e ardhshme të vendit.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Të ngjashme