Kurti shpall fitoren dhe shpreh gatishmëri për bashkëpunim me partitë tjera

Kosovë | 4 muaj më parë

Albin Kurti, kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, ka shpallur fitoren e partisë së tij në zgjedhjet parlamentare gjatë një tubimi në sheshin “Skënderbeu” në Prishtinë.

Ai deklaroi se kjo është fitorja e pestë e Vetëvendosjes në më pak se shtatë vjet, duke e cilësuar si dëshmi se “kjo dekadë i takon qeverisjes së Vetëvendosjes”. 

Kurti falënderoi mbështetësit për besimin e dhënë dhe theksoi se partia e tij ka arritur të tejkalojë sfida të mëdha, duke e vendosur interesin publik mbi gjithçka. Ai u zotua se do të bashkëpunojë me të gjitha partitë politike, duke e parë si prioritet interesin e qytetarëve dhe Republikën sovrane. 

Në fjalimin e tij, Kurti tha se institucionet ekzekutive të vendit janë funksionale, por se Kuvendi mbetet i bllokuar nga opozita. Ai siguroi qytetarët se “shteti është në duar të sigurta” dhe se puna e qeverisë do të vazhdojë pa ndërprerje. 

Mesazhi kryesor i tij ishte se Vetëvendosje do të udhëheqë Kosovën gjatë kësaj dekade, duke e përshkruar partinë si forcën që i bashkon punëtorët, ndërmarrjet, bujqësinë, infrastrukturën dhe kujdesin për qytetarët. 

Ne bëjmë bashkë sigurinë e shtetit dhe kufijve me mirëqenien e qytetarëve. Nuk ka vështirësi që nuk e kemi tejkaluar, sepse tash ka shtet për krejt, e ne jemi krejt për shtet”, ka thënë Kurti, duke përdorur sloganin e partisë.

Ai deklaroi se te LVV-ja qytetarët kanë garanci për mirëqeverisje, ndërsa ka shtuar se partia është e interesuar të punojë, ndryshe nga “blloku opozitar”.

Ai, po ashtu, ka thënë se legjislatura e 11-të duhet të fillojë sa më shpejt dhe ka paralajmëruar takime e bisedime me të gjitha partitë në ditët në vazhdim.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Të ngjashme