Operacioni kundër rrjetit ndërkombëtar të trafikut të kokainës, SPAK: 20 masa sigurie, sekuestrohen 336 llogari bankare dhe 18 vila

Aktualitet | 4 muaj më parë

Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) ka dhënë informacion zyrtar për operacionin e gjerë kundër një grupi të dyshuar kriminal të përfshirë në trafik ndërkombëtar të lëndëve narkotike dhe pastrim të produkteve të veprës penale, duke lëshuar 20 masa sigurie dhe duke vendosur sekuestro mbi një numër të konsiderueshëm pasurish të luajtshme dhe të paluajtshme.

Sipas SPAK, hetimet janë zhvilluar në kuadër të procedimit penal nr. 287/1 të vitit 2021 për veprat penale të “trafikimit të lëndëve narkotike”, “pastrimit të produkteve të veprës penale”, “grupit të strukturuar kriminal” dhe “kryerjes së veprave penale nga organizata kriminale”.

Me kërkesë të Prokurorisë së Posaçme, Gjykata e Posaçme ka caktuar masën e sigurisë “arrest në burg” për 15 persona dhe “arrest në shtëpi” për pesë të tjerë. Deri tani janë ekzekutuar katër masa sigurie, ndërsa vijojnë kërkimet për lokalizimin dhe arrestimin e personave të tjerë. Një prej të dyshuarve është arrestuar në Greqi me ndihmën e autoriteteve greke.

Masa arresti janë dhënë edhe për disa biznesmenë, ndërsa emrat e bërë publikë deri më tani janë: Abedin Koçeku, Artur alias Luçiano Koçeku, Dritan Aga, Gëzim Islami, Edmond Jaupi, Orges Birçaj, Artur Shehu, Ilir Shtufi, Orgest Sota.

Gjatë operacionit janë ushtruar më shumë se 50 kontrolle në banesa, ambiente biznesi, zyra dhe persona fizikë.

Sipas dosjes hetimore, dy persona të identifikuar me inicialet A.H. dhe L.K. dyshohet se kanë pasur rol drejtues në organizimin e trafikut të kokainës nga vendet e Amerikës Latine drejt Europës, duke përdorur portet kryesore të Belgjikës, Spanjës dhe Holandës.

Hetuesit dyshojnë se rrjeti kriminal ishte i përfshirë në të gjithë zinxhirin e trafikut të drogës, duke nisur nga furnizimi dhe transporti, deri te magazinimi, përpunimi kimik dhe shpërndarja e kokainës në vende të ndryshme europiane.

Një nga episodet më të rëndësishme të dokumentuara lidhet me sekuestrimin e 441 kilogramëve kokainë në Barcelonë, ndërsa hetimet kanë evidentuar edhe raste të tjera sekuestrimesh në Holandë, Itali dhe Mbretërinë e Bashkuar.

SPAK bën të ditur se provat janë mbështetur në analizën e komunikimeve të siguruara nga platforma e koduar SKY ECC, përgjime telefonike dhe dokumentacion financiar, të cilat sipas organit të akuzës kanë dokumentuar koordinimin e aktivitetit kriminal mes të dyshuarve.

Paralelisht me hetimin për trafikun e narkotikëve, SPAK ka ngritur dyshime se një pjesë e të ardhurave të përfituara nga aktiviteti kriminal janë investuar në prona, projekte ndërtimi dhe kompani tregtare.

Sipas hetuesve, investimet e dyshuara shtrihen në Tiranë, Palasë, Himarë, Jalë, Vlorë dhe zona të tjera bregdetare, ku dyshohet se janë përdorur kompani dhe persona të tretë për të fshehur origjinën e fondeve.

Në kuadër të operacionit, Gjykata e Posaçme ka vendosur sekuestro preventive mbi pasuri të shumta, përfshirë vila luksoze, apartamente, troje, hotele, mjete lundruese, automjete dhe kompani tregtare.

Sipas SPAK, vetëm një nga vendimet e gjykatës parashikon sekuestro preventive mbi pasuri që lidhen me kontrata shitblerjeje me një vlerë që tejkalon 128.4 milionë euro.

SPAK njoftoi se hetimet vijojnë në bashkëpunim me autoritetet partnere në Francë, Belgjikë, Spanjë, Itali, Mbretërinë e Bashkuar, Greqi, si dhe me Eurojust dhe Europol, për identifikimin e personave të tjerë të përfshirë dhe gjurmimin e pasurive që dyshohet se burojnë nga aktiviteti kriminal.

NJOFTIMI I PLOTË I SPAK

SPAK godet një rrjet të dyshuar ndërkombëtar të trafikimit të kokainës dhe pastrimit  të produkteve të veprës penale; lëshohen urdhër arreste dhe sekuestro mbi pasuri të shumta 

Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka regjistruar kryesisht dhe ka kryer hetime në kuadër të procedimit penal nr.287/1, të vitit 2021 për veprat penale:

  1. “Pastrim i produkteve të veprës penale” kryer në formën e bashkëpunimit të veçantë atë të grupit të strukturuar kriminal
  2. “Trafikimit të lëndëve narkotike” e kryer në formën e bashkëpunimit të veçantë atë të grupit të strukturuar kriminal
  3. “Grup i strukturuar kriminal” dhe “Kryerje e veprave penale nga organizata kriminale apo grupi i strukturuar kriminal”

Mbi bazën e kërkesës së Prokurorisë së Posaçme, Gjykata e Posaçme për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar me vendimin nr. 31, datë 10.6.2026 ka caktuar masën e sigurimit personal shtrëngues “Arrest në burg”, parashikuar nga neni 238 i Kodit të Procedurës Penale për 15 shtetas shqiptarë:

  • A.H,
  • A.Z (alias G.B, G.T)
  • A.R,
  • A.SH,
  • A.I,
  • E.M,
  • O.B,
  • O.S,
  • D.A,
  • L.K, (alias A.K)
  • A.V,
  • K.V,
  • D.K, (alias A.K)
  • E.K,
  • I.SH

 si edhe masën e sigurimit “Arrest në shtëpi” për 5 shtetas të tjerë:

  1. G.I,
  2. L.B,
  3. E.J,
  4. B.M,
  5. E.R

Në datën 12.06.2026 Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit në bashkëpunim me Byronë Kombëtare të Hetimit ka ekzekutuar katër masa sigurimi dhe vazhdojnë kërkimet për ekzekutimin e masave të tjera të sigurimit.

Autoritetet ligjzbatuese greke kanë bërë të mundur kapjen e shtetasit I.Sh, ndaj të cilit Gjykata ka caktuar masën e sigurimit “Arrest në burg”.

Në zbatim të vendimeve gjyqësore janë zhvilluar më shumë se 50 kontrolle të personave, banesave, zyrave të shoqërive tregtare dhe personave fizikë. 

Trafikimi ndërkombëtar i lëndëve narkotike                          

Në kuadër të një hetimi të gjerë mbi trafikimin ndërkombëtar të lëndëve narkotike dhe pastrimin e produkteve të veprës penale, autoritetet ligjzbatuese kanë dokumentuar veprimtarinë e një rrjeti kriminal që dyshohet se ka operuar në disa shtete të Europës dhe Amerikës Latine. Sipas hetimeve, personat nën hetim A.H. dhe L.K dyshohet se kanë pasur rol drejtues në organizimin e trafikut ndërkombëtar të kokainës nga vende të Amerikës Latine drejt Europës, përmes porteve kryesore të Belgjikës, Spanjës dhe Holandës. Hetimet kanë evidentuar një strukturë të organizuar që përfshinte furnizimin, transportin, magazinimin, përpunimin kimik dhe shpërndarjen e lëndëve narkotike në vende të ndryshme europiane.

Nga të dhënat hetimore rezulton se në këtë aktivitet kanë bashkëvepruar edhe personat nën hetim O. B, O.S, A.R, E.M, D.A, A.G dhe M.M, ndërsa janë dokumentuar lidhje dhe bashkëpunime me shtetas të huaj dhe grupe kriminale që operojnë në vende të ndryshme.

Një prej episodeve kryesore të hetuara lidhet me sekuestrimin e 441 kilogramëve kokainë në Barcelonë të Spanjës, ku u arrestuan disa shtetas të përfshirë në transportimin e lëndës narkotike. Gjithashtu, nga hetimet janë evidentuar sekuestrime të tjera të sasive të konsiderueshme të kokainës në Holandë, Itali dhe Mbretërinë e Bashkuar, të cilat dyshohet se lidhen me aktivitetin e rrjetit kriminal nën hetim.

Përmes  analizës së komunikimeve të siguruara në platformën SKY ECC dhe përgjimeve telefonike të kryera përgjatë këtij hetimi, të shoqëruara me këqyrje të dokumenteve dhe akteve të ndryshme,  autoritetet kanë dokumentuar kontakte dhe koordinim të vazhdueshëm mes personave nën hetim në lidhje me organizimin e trafikut ndërkombëtar të narkotikëve, menaxhimin e laboratorëve në Amerikën Latine, transportin e ngarkesave dhe shpërndarjen e lëndës narkotike në tregjet europiane. Paralelisht me hetimet për trafikimin e narkotikëve, janë dokumentuar edhe dyshime të arsyeshme për pastrim të produkteve të veprës penale. Sipas hetimeve, personat nën hetim A.R, E.M, E.R, A.H, A.Z, L. K, O.B dhe O.S., dyshohet se kanë investuar të ardhura me burim kriminal në pasuri të paluajtshme, projekte ndërtimi dhe shoqëri tregtare.

Hetimet kanë evidentuar gjithashtu përfshirjen e personave nën hetim A.Sh, A.I,  B.M dhe E.J në veprime që dyshohet se kanë shërbyer për fshehjen e origjinës së pasurive dhe integrimin e të ardhurave të paligjshme në ekonominë formale.

Sipas organit procedues, një pjesë e investimeve të dyshuara lidhen me prona dhe projekte ndërtimi në Tiranë, Palasë, Himarë dhe zona të tjera bregdetare, si dhe me shoqëri tregtare të përdorura për qarkullimin dhe investimin e fondeve që dyshohet se burojnë nga aktiviteti kriminal.

Hetimet vijojnë në bashkëpunim me autoritetet partnere ndërkombëtare për dokumentimin e plotë të fakteve, identifikimin e personave të tjerë të përfshirë dhe gjurmimin e pasurive që dyshohet se rrjedhin nga aktiviteti kriminal.

Përmes vendimit 427, datë 12.6.2026, Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë vendosi sekuestro preventive mbi disa pasuri, referuar kontratave të shitjes nga shtetasit A.Sh, F.S, B.S tek kompania “A…L…D…sh.a”. Shuma e sekuestros preventive arrin në mbi 128.4 milionë euro. 

*Gjatë hetimeve do të bëhet edhe verifikimi i vlerës së saktë të pasurive të sekuestruara.

Përmes vendimit nr. 432 akti, datë 10.6.2026, Gjykata e Posaçme e Shkallës parë ka vendosur sekuestro preventive mbi pasuritë:

Vila

  • Dy vila në Gjilekë, kompleksi Green Coast, Palasë Vlorë, si edhe vlera prej 500.000 euro e përfituar nga shitja e këtyre pasurive
  • Një vilë në Gjilekë, Vlorë, si dhe vlera prej 200.000 euro, e përfituar nga shitja e kësaj pasurie
  • Dy vila në Green Coast, Vlorë, si dhe vlera prej 680.000 euro e përfituar nga shitja e këtyre dy pasurive
  • Një vilë në Gjilekë, Vlorë, si dhe vlera 220,710 euro e përfituar nga shitja e kësaj pasurie.
  • Dy vila në Gjilekë, Vlorë, si dhe vlera 506,467 euro, e përfituar nga shitja e këtyre pasurive
  • Dy vila në kompleksin Rolling Hills, Tiranë
  • Shtatë vila dhe dy apartamente, të ndodhura në Jalë, Vuno, Himarë
  • Një vilë, e ndodhur në në Gjilekë, Vlorë

Llogari bankare:

  • 336 llogari bankare të sekuestruara në banka të ndryshme të nivelit të dytë.
  • Shumat që duhet të sekuestrohen nga shoqëritë tregtare mund të arrijnë vlerën e mbi 6.2 milionë eurove dhe 9 milionë lekëve.

Sekuestro preventive është vendosur edhe  mbi të drejtën e shtetaseve A.Sh, M.C, Xh.D dhe E.A për të përfituar vlerën e shpronësimit nga Komisioni i Posaçëm për Shpronësim, si bashkëpronarë në këtë pasuri. Vlera paraprake e shpronësimit është 352,859,661 lekë.

Truall:

  • Pasuri, e ndodhur në Sallmone, Shijak, si dhe shuma prej 58.000.000 lekë, e përfituar nga shitja.
  • Pasuria e llojit “truall”, e ndodhur në Sarandë.
  • 11 pasuri me sipërfaqe totale mbi 113.000 m2, që ndodhen në Gjilekë, Vlorë.
  • Pasuri e llojit “truall”, Rruga: Dervish Hima, me sipërfaqe totale 315.2 m2, Tiranë.

Shoqëri me përgjegjësi të kufizuar:

  • Shoqëria me përgjegjësi të kufizuar, “K…83”, me seli në Tiranë
  • Shoqëria me përgjegjësi të kufizuar, “K…83”me seli në Prishtinë, Kosovë dhe të gjitha llogaritë e saj bankare.
  • Shoqëria me përgjegjësi të kufizuar, “A…F… P…”, Tiranë dhe të gjitha mjetet në pronësi të saj.
  • Shoqëria “P….I….”, së bashku me të gjitha asetet që ajo zotëron.
  • Shoqëria “T… S”, me seli në Tiranë, si dhe asetet e rregjistruara në pronësi të saj (duke përjashtuar shoqërinë “T…S..C.”, në pronësi të të njëtit administrator)

Hotel:

  • “AP… B”, i ndodhur në Lungomare, Vlorë

Mjete lundruese:

  • Mjete lundruese, me gjatësi 13.8 ml, gjerësi 3.5 ml.
  • Gomone, me gjatësi 09.60 ml, gjerësia 03.73 ml.

Automjete

  • Automjet tip Audi S8
  • Mercedes Benz, model G-Class.
  • Si dhe ekuivalentin prej 15.000 euro, sekuestruar në llogari bankare, të përfituar nga shitja e një automjeti “Land Rover”.

Përmes vendimit nr. 435 akti, datë 10.6.2026, Gjykata e Posaçme e Shkallës parë ka vendosur sekuestro preventive mbi pasuritë:

  • Pasuri e paluajtshme me siperfaqe totale 2000 m2, në Green Coast.
  • Pasuri të paluajtshme me sipërfaqe totale 478.7 m2, Gjilekë, Vlorë.
  • Të drejtat reale dhe pasuritë e paluajtshme në masën 43 % të këtyre të drejtave për subjektin “N…C…. G…”, me vendndodhje, Tiranë
  • 38 % të të drejtave reale të sipërfaqeve ndërtimore për objektin, me vendndodhje Tiranë, me pronësi të L.K.
  • Katër apartamente dhe një depo, me vendndodhje në Tiranë (me investitor “N…C…. G…”)
  • 38 apartamente me vendndodhje në Tiranë (me investitor “D…. C” dhe “N…C….G…”)
  • 23 apartamente, me vendndodhje Tiranë.
  • 106 garazhe, me vendndodhje në Tiranë.
  • Një njësi shërbimi me sipërfaqe 201.3 m2, Tiranë.
  • 6 pasuri të paluajtshme, me vendndodhje në Kodër-Kamëz, Tiranë, në pronësi të personit nën hetim L.K si edhe G.I, L.I.
  • 2 automjete; një Lamborghini dhe një Mercedes Benz
  • 30 % të kuotave të shoqërisë, “U..C” LTD shpk, në pronësi të personit nën hetim L.K.
  • Është vendosur sekuestrimi i shoqërisë tregtare “M…. B… shpk” si dhe pasurisë së paluajtshme ku ajo kryen aktivitetin dhe çdo llogarie bankare në banka të nivelit të dytë.
  • Është vendosur sekuestrimi i shoqërisë tregtare “G… I “, aseteve të tij dhe çdo llogari bankare në banka të nivelit të dytë.
  • Është vendosur sekuestrimi i “I…. G” si dhe cdo llogari që këto subjekte kanë në të gjitha banka të nivelit të dytë.

Struktura e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar falenderon autoritetet gjyqësore franceze, belge, spanjolle, Italiane, britanike, greke, Eurojust, Europol për bashkëpunimin në hetimin e këtij procedimi penal.


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme