AAK, me kushte për të mbështetur LVV-në: Gati të ofrojmë kuorum për institucionet e reja, pa qenë pjesë e qeverisë

Kosovë | 4 muaj më parë

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës Ardian Gjini deklaroi se partia e tij është e gatshme të kontribuojë në formimin e institucioneve të reja, por kërkon një zotim të qartë me shkrim për ndërmarrjen e veprimeve që, sipas tij, janë në interes të qytetarëve të Kosovës.

“Institucionet e reja duhet qartë ta pranojnë orientimin strategjik dhe ta pranojnë projektin e gazit amerikan menjëherë. Ky nuk është vetëm projekt energjetik, është projekt strategjik që e tregon orientimin afatgjatë të shtetit tonë. Shteti ynë duhet t’i nisë procedurat e ndërtimit të termocentralit. Karboni duhet të përdoret menjëherë. Institucionet e reja duhet ta ngrenë pragun e TVSH-së nga 30 mijë në 100 mijë euro. Ky ka qenë edhe premtimi ynë elektoral. Një veprim i tillë e çliron potencialin e jashtëzakonshëm të ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme. Ne kërkojmë që menjëherë tokat e punuara të lirohen nga tatimi në pronë, duke u dhënë frymëmarrje bujqve në Kosovë dhe duke nxitur punimin e tokës. Institucionet e reja duhet ta buxhetojnë plotësisht ndërtimin e infrastrukturës jetike në Kosovë, siç janë rrugët për Pejë, Gjilan, Gjakovë, Mitrovicë e Podujevë, të cilat janë të pabuxhetuara. Në kuadër të infrastrukturës, institucionet duhet të zotohen se për pesë vjet për Prishtinën do të ndahen nga 800 milionë deri në 1 miliard euro, sepse Prishtina po bëhet e pajetueshme, është e ngulfatur”, u shpreh Gjini.

Gjini tha se Aleanca nuk ka asnjë kusht personal dhe nuk synon pjesëmarrje në qeverisjen e ardhshme.

“Jemi të gatshëm edhe të bëjmë kuorum, por po kërkojmë diçka për qytetarin e Kosovës, jo për vete, nuk kemi kurrfarë kushti vetjak, nuk duam as ministra, as zëvëndësministra, as ambasadorë, as borde, asgjë, por nuk guxojmë ne të jemi indiferentë dhe mos ta përdorim peshën tonë politike për ta rregulluar jetën e qytetarit të Kosovës.”

Lidhur me kandidimin e mundshëm të Haradinajt, Gjini tha se vendi nuk do të kishte president më të mirë.

“Nëse Ramush Haradinaj do të propozohet për president, vlen e njëjta formulë, për neve do të ishte nder, por nuk jemi duke e vendosur si kusht. Ne mendojmë që Kosova nuk do të mund të kishte president më të mirë se Ramush Haradinaj tash, mirëpo nuk po duam ta bllokojmë Kosovën për këtë bindje tonën që është e plotë dhe e pandryshueshme”, 

Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës siguroi 7 deputetë në zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 7 qershorit.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme