Operacioni “The Wanted”/ Ekstradohet nga Kolumbia kimisti i kokainës në Frakull dhe një tjetër nga Italia, në kërkim për disa krime
Policia e Shtetit ka finalizuar dy faza të tjera të operacionit ndërkombëtar “The Wanted”, duke sjellë në Shqipëri dy persona të kërkuar nga drejtësia, falë bashkëpunimit me Interpol Bogotën dhe Interpol Romën.
Nga Kolumbia është ekstraduar shtetasi kolumbian Saimir Rosales Rodriguez, 53 vjeç, ndaj të cilit Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO) ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg” për veprat penale “Trafikimi i lëndëve narkotike”, kryer në kuadër të një grupi të strukturuar kriminal, si dhe për pjesëmarrje në organizatë kriminale. Rodriguez është një nga trafikantët e përfshirë në dosjen e Frakullës, i njohur ndryshe si “Kimisti”, i cili pas operacionit antikokainë kishte arritur të largohej nga Shqipëria.
Sipas hetimeve, ai dyshohet se ka shoqëruar një ngarkesë me lëndë narkotike të fshehur në një kontejner me pleh organik, i nisur nga porti Buenaventura në Kolumbi, që kaloi përmes portit të Pireut në Greqi dhe portit të Tivarit në Mal të Zi, me destinacion final Shqipërinë. Hetimet për këtë rast janë zhvilluar në bashkëpunim me autoritetet malazeze gjatë periudhës korrik-nëntor 2022.
Ndërkohë, nga Italia është ekstraduar shtetasi Fadil Ternova, 38 vjeç, lindur në Bulqizë, i kërkuar për disa vepra penale.
Sipas Policisë së Shtetit, ndaj tij Gjykata e Dibrës ka caktuar në vitin 2024 masën “Arrest në burg” për veprat penale “Vrasja me dashje”, mbetur në tentativë, dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”. Ai akuzohet se në vitin 2024, në aksin rrugor Bulqizë-Tiranë, ka tentuar të vrasë me armë zjarri automatik shtetasin A. P., pas një konflikti verbal për motive të dobëta.
Po ashtu, ndaj 38-vjeçarit rëndojnë edhe një masë sigurie e vitit 2023 për veprën penale “Goditjet për shkak të detyrës”, kryer në bashkëpunim, si dhe një dënim me dy muaj burg i dhënë në vitin 2018 për “Mosbindje ndaj urdhrit të punonjësit të Policisë së rendit publik”.
Policia e Shtetit thekson se operacioni “The Wanted” vijon në bashkëpunim me partnerët ndërkombëtarë për lokalizimin, arrestimin dhe ekstradimin e personave të shpallur në kërkim ndërkombëtar.
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




