Mbi vizat e bardha të historisë, 8 gushti 1969 dhe fotografia ikonike e “Abbey Road”

Më 8 gush 1969, rreth orës 11:30 të mëngjesit, fotografi Iain Macmillan shkrepi një nga imazhet më të njohura dhe më të imituara në historinë e muzikës moderne: katër anëtarët e grupit The Beatles duke kaluar vizat e bardha përballë studios në Londër. Kjo fotografi do të shndërrohej më pas në kopertinën zyrtare të albumit të tyre të 11-të studio, “Abbey Road”.
Sipas arkivave historike të studios Abbey Road, Macmillan pati në dispozicion vetëm 10 minuta për të realizuar punën, ndërsa një polic ndihmonte duke ndaluar trafikun. I hipur mbi një shkallë me tre këmbë në mes të rrugës, ai bëri gjithsej vetëm gjashtë shkrepje. Ishte fotografia e pestë ajo që u zgjodh nga Paul McCartney, ku të katër anëtarët—John Lennon, Ringo Starr, Paul McCartney dhe George Harrison—ecnin në një hap gati sinkron.
Kjo kopertinë mbetet e veçantë pasi ishte e para për The Beatles që nuk përmbante as emrin e grupit dhe as titullin e albumit në faqe të parë. Drejtori artistik i projektit, John Kosh, pati deklaruar më vonë se “grupi ishte aq i famshëm sa nuk kishte nevojë të shkruhej emri i tyre në kopertină; mjaftonte vetëm imazhi”.
Sot, vendkalimi i këmbësorëve në Abbey Road është shpallur monument me rëndësi të veçantë kulturore dhe historike nga qeveria britanike (Listed Building Status), duke tërhequr çdo vit qindra mijëra turistë nga e gjithë bota.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




