I dënuar me 14 vite burg në Itali për trafik droge, arrestohet në Durrës 43-vjeçari i kërkuar ndërkombëtarisht

Aktualitet | 2 muaj më parë

Një 43-vjeçar i shpallur në kërkim ndërkombëtar është arrestuar në Durrës, pasi ishte dënuar nga drejtësia italiane me 14 vite burg për trafikim të lëndëve narkotike.
Arrestimi i tij është bërë në kuadër të operacionit të koduar “Wanted 37”, të finalizuar nga specialistët e Seksionit për Mbështetjen Operacionale të Hetimit në Durrës.

Bëhet fjalë për Kastriot Dyrmishin, alias Kastriot Dermishin, 43 vjeç, banues në Durrës, i cili u lokalizua nga shërbimet e Policisë në lagjen nr. 17/1 të qytetit.
Sipas të dhënave të Policisë, Dyrmishi ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar pas një vendimi të Gjykatës së Apelit të Firences në Itali. Kjo gjykatë e ka dënuar me 14 vite burgim për veprën penale të trafikimit të lëndëve narkotike.

Nga dënimi i dhënë nga autoritetet italiane, 43-vjeçarit i kanë mbetur ende për të vuajtur 12 vite, 9 muaj e 24 ditë burgim.
Lokalizimi dhe arrestimi i tij është bërë pas shkëmbimit të informacionit dhe koordinimit operacional mes autoriteteve shqiptare dhe atyre italiane, përmes Interpol Tiranës.

Pas arrestimit, Dyrmishi është vendosur në procedurë me qëllim ekstradimin drejt Italisë, ku do të vuajë pjesën e mbetur të dënimit. Ndërkohë, Interpol Tirana, në bashkëpunim me homologët italianë, vijon procedurat për ekstradimin e 43-vjeçarit.


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme