Ngërçi politik në Kosovë, Kurti thirrje partive: Të arrijmë marrëveshje për të shmangur zgjedhjet e reja

Kosovë | 2 muaj më parë

Ngërçi politik në Kosovë vijon ndërsa partitë parlamentare ende nuk kanë arritur marrëveshjen për konstituimin e institucioneve të reja. Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, u ka bërë sërish thirrje liderëve politikë që të gjejnë një zgjidhje dhe të shmangin zgjedhjet e reja.

 “Jemi në komunikim dhe do të përpiqemi për çdo ditë që të arrijmë marrëveshje politike, në mënyrë që të shmangim zgjedhjet e panevojshme e të paarsyeshme, sepse ato vetëm sa do të përsëriten. U bëj thirrje edhe njëherë liderëve të partive të tjera që të diskutojmë e merremi vesh, sepse qytetarët nuk duan zgjedhje, por zgjidhje, e zgjidhja është marrëveshja politike”, tha Kurti të hënën.

Seanca konstituive e Kuvendit u ndërpre sërish të shtunën, pasi Kurti kërkoi kohë shtesë për propozimin e kandidatit për kryetar të Kuvendit. Ai argumentoi se kërkesa lidhet me mungesën e një marrëveshjeje mes partive politike dhe synimin për të shmangur një tjetër proces zgjedhor.

Situata u tensionua në sallë, pasi deputetja e Aleancës, Time Kadrijaj, gjuajti me vezë në drejtim të Kurtit, ndërsa më pas u kërkua ndërhyrja e sigurimit të Kuvendit.

Në zgjedhjet e 7 qershorit, Vetëvendosje mori 53 mandate, PDK-ja 22, LDK-ja 18 dhe Aleanca 7, por asnjëra palë nuk ka siguruar ende zgjidhjen politike.

Ndërkohë, gjatë Konferencës së nëntë të Ambasadorëve të Kosovës, Kurti foli edhe për situatën e sigurisë në rajon, duke akuzuar Serbinë se po zgjeron kapacitetet e saj ushtarake.

Sipas Kurtit, ky forcim nuk është vetëm modernizim i ushtrisë, por pjesë e një strategjie më të gjerë politike dhe diplomatike që lidhet me, siç u shpreh ai, “synimet hegjemoniste” të Serbisë ndaj rajonit dhe veçanërisht Kosovës.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme