KFOR nis largimin gradual nga Ura e Ibrit, Sveçla: Kosova është forcuar dhe është gati të marrë përgjegjësitë

Kosovë | 2 muaj më parë

KFOR-i ka nisur procesin gradual të largimit nga prania e përhershme në Urën Kryesore të Mitrovicës, duke ia kaluar gradualisht përgjegjësinë për sigurinë Policisë së Kosovës.

Misioni i NATO-s ka sqaruar se bëhet fjalë për riorganizim të pranisë dhe jo për tërheqje nga Mitrovica apo veriu i Kosovës. Procesi do të zhvillohet në mënyrë graduale dhe në koordinim me institucionet e Kosovës, Policinë e Kosovës, EULEX-in dhe aktorët e tjerë të sigurisë.

KFOR-i thekson se do të vijojë të ketë prani të dukshme në Mitrovicën e Jugut dhe të Veriut, si dhe në pjesën veriore të Kosovës, duke ruajtur kapacitetet për t’iu përgjigjur çdo situate.

Ministri në detyrë i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, e ka cilësuar vendimin si një zhvillim pozitiv. Ai tha se me përmirësimin e situatës së sigurisë do të reduktohet gradualisht edhe prania e Policisë së Kosovës në urë.

Sveçla u shpreh se synimi është që hapja e urës të realizohet si një zhvillim pozitiv për të gjithë dhe pa pasoja negative për asnjë komunitet.

“Ky është një lajm i mirë. Kosova po forcohet dhe është e gatshme të marrë të gjitha përgjegjësitë për të garantuar siguri për të gjithë”, deklaroi Sveçla.

Sipas tij, procesi do të vijojë në koordinim të ngushtë me KFOR-in, ndërsa hapat e mëtejshëm pritet të bëhen publikë në vijim.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme