Situata e zjarreve në Shqipëri, 8 vatra mbeten aktive, mbi 400 forca operacionale, helikopterë dhe avionë “Air Tractor” në terren

Aktualitet | 2 muaj më parë

Vendi po përballet me një situatë intensive të vatrave të zjarrit. Ministria e Mbrojtjes ka bërë me dije bilancin e 12 orëve të fundit, ku janë raportuar në total 23 vatra zjarri, prej të cilave 8 mbeten ende aktive në disa rajone të Shqipërisë.

Për menaxhimin e kësaj emergjence civile po zhvillohet një operacion masiv ku janë angazhuar 26 automjete zjarrfikëse, 310 forca operacionale, 103 efektivë të Forcave të Armatosura, si dhe ndërhyrje nga ajri me 3 helikopterë të Forcës Ajrore dhe 2 avionë të posaçëm “Air Tractor”.

Vatrat aktive dhe ndërhyrjet nga ajri

Në qarkun e Tiranës, vëmendja është përqendruar në Dajt, ku pas riaktivizimit të zjarrit mbi tunelet e Qafë Mollës, forcat e MZSH-së dhe ADZM-së po punojnë me mbështetjen e një helikopteri. Ndërkohë, në Priskë të Madhe po operohet me 4 mjete zjarrfikëse dhe 15 efektivë, ku sipas autoriteteve nuk ka rrezik për zonat e banuara.

Betejë e ashpër me flakët po zhvillohet edhe në Drenie të bashkisë Patos, ku pas riaktivizimit në thellësi të pyllit, operacioni po përforohet ndjeshëm me forca bashkiake, 20 efektivë të ushtrisë dhe dërgimin e dy avionëve “Air Tractor”.

Në rrethin e Krujës situata po monitorohet në dy pika: në Abaze, ku gjendja është nën kontroll, si dhe në Krastë–Halil, ku ndërhyrja e dy helikopterëve në orët e para të mëngjesit ndihmoi në normalizimin e gjendjes. Autoritetet konfirmojnë se mbrojtja e banesave në këtë zonë mbetet prioritet absolut.

Situata në Jug dhe në Veri, Lura dhe Përmeti nën monitorim

Përpjekjet e forcave operacionale vazhdojnë edhe në jug të vendit. Në bashkinë e Përmetit vijon puna në malin e Nëmerçkës me forca të MZSH-së dhe 25 efektivë të FA-së, ndërsa vatra tjetër aktive mbetet ajo në malin Dhëmbel. Në të dyja këto pika nuk raportohet për rrezik ndaj zonave të banuara.

Një nga operacionet më të rëndësishme po zhvillohet në Gurë-Lurë (bashkia Dibër), ku janë mobilizuar 25 zjarrfikës, 20 forca të ADZM-së, 35 vullnetarë dhe 2 helikopterë të FA-së. Trupat në terren janë pozicionuar afër banesave për të garantuar sigurinë e komunitetit vendas.

Në krahun tjetër, një lajm pozitiv vjen nga Kurbini, ku vatra e shfaqur gjatë pasdites në fshatin Vilëz është shuar plotësisht. Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile (AKMC) njofton se koordinimi me të gjitha strukturat do të vijojë pa ndërprerje deri në neutralizimin e plotë të çdo vatre zjarri.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme