Situata me zjarret në vend, Ministria e Mbrojtjes: 25 vatra të raportuara në 24 orët e fundit, 9 mbeten aktive

Ministria e Mbrojtjes ka bërë të ditur situatën e zjarreve në vend gjatë 24 orëve të fundit, duke raportuar 25 vatra zjarri, nga të cilat 9 vijojnë të jenë aktive.
Në operacionet për shuarjen dhe vënien nën kontroll të flakëve janë angazhuar 41 automjete zjarrfikëse dhe 395 forca operacionale. Nga Forcat e Armatosura po operojnë në terren 167 efektivë, 3 helikopterë dhe 2 avionë “Air Tractor” të Forcës Ajrore.
Në Dajt vijon ndërhyrja e forcave të MZSH-së dhe ADZM-së, me mbështetjen e një helikopteri të Forcës Ajrore. Ndërkohë, në Priskë të Madhe po operojnë 4 automjete zjarrfikëse dhe 15 efektivë. Sipas Ministrisë së Mbrojtjes, në të dyja zonat nuk ka rrezik për banesat.
Në Drenie, bashkia Patos, pas riaktivizimit të vatrës, gjatë ditës së djeshme u angazhuan 7 automjete zjarrfikëse, 30 efektivë të MZSH-së, forca të Policisë, shërbimit pyjor dhe vullnetarë, të mbështetur nga 2 avionë “Air Tractor”. Operacioni vijon edhe sot me 30 efektivë të Forcave të Armatosura.
Në Krujë ndërhyrja vijon në lagjen Abaze dhe në zonën Krastë–Halil. Në Abaze pritet mbështetja e 58 efektivëve të Forcave të Armatosura edhe me 2 helikopterë.
Në Krastë–Halil kanë operuar 58 efektivë ushtarakë me 6 mjete, së bashku me forcat e ADZM-së dhe strukturat vendore. Aktualisht, nuk raportohet rrezik për zonat e banuara.
Në Nëmerçkë vijon puna e forcave të MZSH-së dhe bashkisë, të mbështetura nga 25 efektivë të Forcave të Armatosura. Në malin Dhëmbel po operojnë forcat zjarrfikëse të Përmetit, ndërsa në mbështetje janë angazhuar edhe 30 efektivë ushtarakë. Edhe në këto zona nuk ka rrezik për banesat.
Në Gurë-Lurë, bashkia Dibër, po zhvillohet një nga operacionet më të rëndësishme për shuarjen e zjarrit. Në terren janë angazhuar forcat zjarrfikëse, strukturat bashkiake dhe pyjore, ADZM-ja, vullnetarë, si dhe 50 efektivë të Forcave të Armatosura, 2 helikopterë dhe 2 avionë “Air Tractor”.
Për shkak të afërsisë së zjarrit me disa banesa, forcat zjarrfikëse janë pozicionuar pranë tyre, me fokus të drejtpërdrejtë te mbrojtja e komunitetit dhe pronave.
Vatra në malin e Moravës, bashkia Devoll, vijon të jetë aktive në një zonë të mbrojtur të mbuluar me pyll pishe. Në terren po punojnë forcat e MZSH-së Devoll dhe Korçë, së bashku me shërbimin pyjor. Nuk raportohet rrezik për zonat e banuara.
Ministria e Mbrojtjes bën me dije se operacionet do të vijojnë me kapacitete të shtuara tokësore dhe ajrore, me prioritet mbrojtjen e zonave të banuara, kufizimin e përhapjes së zjarreve dhe neutralizimin e plotë të vatrave aktive.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.





