Rama shpërndan artikullin francez: Rezervimet nga Franca për Shqipërinë rriten me 288%

Aktualitet | 2 muaj më parë

Kryeministri Edi Rama ka shpërndarë në rrjetet sociale artikullin e Marie-Flamine Lavergne, e cila shkruan për rritjen e interesit të turistëve të huaj për Shqipërinë dhe faktorët që po e shndërrojnë vendin në një nga destinacionet turistike më të kërkuara në Europë.

Sipas artikullit, rezervimet nga Franca drejt Shqipërisë janë rritur me 288.2% krahasuar me një vit më parë. Ndërkohë, gjatë vitit 2025, Shqipëria priti më shumë se 12 milionë vizitorë ndërkombëtarë, duke e kthyer turizmin në një nga sektorët kryesorë të ekonomisë.

Artikulli identifikon disa faktorë që kanë ndikuar në rritjen e popullaritetit të Shqipërisë, ndër të cilët veçohet fillimisht çmimi. Krahasuar me destinacione si Greqia, Italia dhe Kroacia, Shqipëria vijon të konsiderohet një alternativë më e përballueshme për turistët, si për akomodimin, ashtu edhe për ushqimin.

“Krahasuar me destinacione si Greqia, Italia apo Kroacia, Shqipëria mbetet relativisht e përballueshme, qoftë për akomodim apo edhe për sa i përket ushqimit. Një vakt në një restorant ekonomik kushton rreth 8 euro në Shqipëri, krahasuar me 12 euro në Kroaci, 15 në Greqi dhe 17 në Itali. Dhe në faqet e internetit për rezervime, çmimi i një dhome për dy net mezi arrin në 100 euro”, thuhet në artikull.

Një tjetër faktor është aksesueshmëria. Në artikull nënvizohet se lidhjet ajrore me Tiranën janë shtuar ndjeshëm, veçanërisht përmes kompanive low-cost, ndërsa përmirësimi gradual i infrastrukturës po e bën më të lehtë lëvizjen brenda vendit.

Në fokus është edhe peizazhi shqiptar. Sipas artikullit, ujërat e kaltërta, malet, fshatrat tradicionalë dhe Riviera Shqiptare janë ndër elementët që kanë tërhequr vëmendjen e turistëve, veçanërisht në rrjetet sociale.

Ksamilit i kushtohet një vëmendje e veçantë për plazhet dhe ishujt e vegjël, ndërsa artikulli thekson se Shqipëria ofron edhe destinacione malore dhe pasuri të rëndësishme kulturore. Përballë rritjes së numrit të turistëve, artikulli përmend edhe Strategjinë Kombëtare të Turizmit 2030, të zbatuar nga viti 2024. Strategjia synon rritjen e të ardhurave nga turizmi, përmirësimin e infrastrukturës hoteliere dhe mbrojtjen e mjedisit nga pasojat e mundshme të mbipopullimit turistik.

“Me ujëra në ngjyrë turkezë, male dhe fshatra të gurtë në kodra, Shqipëria ofron peizazhe të larmishme. Në rrjetet sociale, është Riviera Shqiptare ajo që vërtet tërheq vëmendjen dhe imagjinatën më së shumti. Duke filluar me Ksamilin, i famshëm për plazhet dhe ishujt e tij të vegjël. Por, Shqipëria ofron më shumë sesa thjesht plazhe; vendi i magjeps vizitorët edhe me peizazhet malore dhe trashëgiminë kulturore. Për ta menaxhuar këtë rritje, Shqipëria ka zbatuar “Strategjinë Kombëtare të Turizmit 2030″ që nga viti 2024. Ajo synon të rrisë të ardhurat nga turizmi, të përmirësojë infrastrukturën hoteliere dhe të mbrojë mjedisin natyror nga rreziqet e mbipopullimit turistik”, nënvizon artikulli.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme