“Të thirret seanca konstituive”/ Tension në Kuvendin e Kosovës, Gërvalla përplaset me deputetet e PDK-së

Kosovë | 2 muaj më parë

Tensionet politike janë përshkallëzuar të mërkurën në Kuvendin e Kosovës, ku përplasjet mes deputetëve të Lëvizjes Vetëvendosje dhe opozitës kanë vijuar gjatë aktiviteteve me qytetarë. Brohoritje, ndërhyrje dhe replika personale kanë shoqëruar zhvillimet, ndërsa ngërçi për konstituimin e Kuvendit vazhdon.

Deputetë të PDK-së dhe Aleancës kanë kundërshtuar pjesëmarrjen e deputetëve dhe figurave të Lëvizjes Vetëvendosje në aktivitetet e zhvilluara në ambientet e Kuvendit, duke kërkuar që të vazhdojë seanca konstituive.

Në momentin kur deputetët e LVV-së janë afruar për të komunikuar me qytetarët, deputetët e PDK-së kanë protestuar dhe kanë brohoritur, duke krijuar momente tensioni në sallë.

Gërvalla nuk arrin të mbajë fjalimin, Haxhiu anulon konferencën për media

Përplasjet kanë vijuar edhe gjatë fjalimeve të zyrtarëve të Vetëvendosjes.
Ministrja në detyrë e Drejtësisë, Donika Gërvalla, nuk ka mundur ta zhvillojë fjalën e saj për shkak të brohoritjeve të deputetëve të PDK-së.

Ndaj saj janë dëgjuar thirrjet “Demokraci” dhe “UÇK”, ndërsa situata është bërë gjithnjë e më e tensionuar.

Një situatë e ngjashme është krijuar edhe me ushtruesen e detyrës së presidentes, Albulena Haxhiu.

Haxhiu është përballur me thirrjet e deputetëve të PDK-së për vazhdimin e seancës konstituive dhe nuk ka zhvilluar konferencën e planifikuar për media në hollin e Kuvendit.

Ajo ka deklaruar se nuk do ta mbajë konferencën nëse deputetët e PDK-së nuk largohen nga hapësira.

Ndërkohë, gjatë zhvillimeve në sallë, deputetë të opozitës kanë tentuar gjithashtu të largojnë disa deputetë të Vetëvendosjes, duke e përshkallëzuar më tej situatën.

Përplasje edhe mes Gërvallës dhe deputeteve të PDK-së

Në një tjetër moment të tensionuar, Donika Gërvalla është përfshirë në një debat të drejtpërdrejtë me deputetet e PDK-së, Blerta Deliu dhe Eliza Hoxha.

Gërvalla u ka bërë thirrje deputetëve që të marrin pjesë në takime për të diskutuar situatën politike dhe çështjen e zgjedhjes së presidentit.

“Pse nuk vini në takim? Dy mundësi ka, ejani takohemi, flasim për presidentin”, është shprehur ajo.

Por deputetet e PDK-së kanë këmbëngulur që fillimisht të vazhdojë seanca konstituive.

“Thirrni seancën”, kanë brohoritur Deliu dhe Hoxha.

Debati më pas ka marrë një kthesë personale, kur Gërvalla i është drejtuar Blerta Deliut me një koment lidhur me higjienën.

“Largohu pak, po të vjen era e gojës”, i ka thënë Gërvalla deputetes së PDK-së.

Deliu ka vijuar t’i kërkojë Gërvallës që të ndërmerren hapat për vazhdimin e seancës konstituive.

Përplasjet e së mërkurës vijnë në një kohë kur Kuvendi i Kosovës vazhdon të përballet me një ngërç politik dhe procedural rreth konstituimit të tij dhe vazhdimit të seancës konstituive.

PDK dhe AAK kërkojnë vazhdimin e seancës

Deputetët e Partisë Demokratike të Kosovës dhe Aleancës kanë vazhduar të qëndrojnë në sallën e Kuvendit të Kosovës, duke kërkuar nga kryesuesi Avni Dehari që të thërrasë vazhdimin e seancës për konstituimin e legjislaturës.

Gjatë qëndrimit në sallë, deputetë të PDK-së kanë mbajtur fjalime nga foltorja, duke insistuar se procesi i konstituimit duhet të përmbyllet dhe se tejkalimi i afatit kushtetues nuk e eliminon këtë obligim, shkruan RTK.

Deputeti i PDK-së, Arian Tahiri, tha se deputetët e kanë marrë mandatin nga qytetarët dhe se askush nuk mund t’ua mohojë ushtrimin e tij.

“Mandatin na e ka dhënë populli, nuk na e ka dhënë Albin Kurti dhe nuk mund të na i marrë”, deklaroi Tahiri.

Ai tha se prania e deputetëve në Kuvend është një mënyrë për të shprehur qëndrimin e tyre dhe për të kërkuar funksionalizimin e institucioneve.

“Me qëllim që ta mbrojmë kushtetutshmërinë dhe ta funksionalizojmë Kuvendin, kemi ardhur këtu ku e kemi mandatin, për ta përcjellë qëndrimin tonë”, u shpreh ai.

Tahiri paralajmëroi se, në rast se mundësitë për zgjidhjen e situatës brenda Kuvendit shterojnë, partia e tij do të ndërmarrë hapa të tjerë politikë.

“Nëse shteren mundësitë brenda Kuvendit, do të jenë hapat tanë të tjerë të guximshëm për ta mbrojtur shtetin”, tha deputeti i PDK-së.

Ai gjithashtu bëri thirrje për reagim qytetar lidhur me situatën politike dhe institucionale në vend.

Ndërkaq Besnik Tahiri i Aleancës ka thënë se s’do të lejohet “dhunimi i së drejtës së qytetarëve”.

“Sovraniteti i takon popullit, i takon institucioneve të zgjedhura dhe ne që jemi këtu jemi të zgjedhur. Bllokimi i kuvendit është cenim i sovranitetit, rendi kushtetues dhe demokracisë. Nuk do të lejojmë në asnjë formë që të dhunohet e drejta e qytetarëve që me pas institucione”, ka thënë ai.

Ndërkohë, PDK-ja i është drejtuar më herët me letër kryesuesit të Kuvendit, Avni Dehari, duke kërkuar që seanca të vazhdojë pa vonesa.

Sipas kësaj partie, moskonstituimi i Kuvendit brenda afatit të përcaktuar ka krijuar një situatë të rëndë kushtetuese, por kjo, sipas tyre, nuk e heq përgjegjësinë për përfundimin e procesit.

“Obligimi për përfundimin e procesit konstituiv mbetet dhe duhet të përmbushet pa vonesa të mëtejshme”, thuhet në letrën e PDK-së.

Partia ka kërkuar që deputetëve të zgjedhur t’u mundësohet ushtrimi i mandatit dhe që seanca për konstituimin e Kuvendit të thirret sa më shpejt.

Dehari: Pa marrëveshje politike, seancat e Kuvendit mbeten të kota
Kryesuesi i seancës konstituive të Kuvendit, Avni Dehari, ka deklaruar se një marrëveshje politike ndërmjet partive parlamentare është rruga për formimin e institucioneve dhe shmangien e zgjedhjeve të reja.

Dehari ka rikujtuar se më 26 qershor 2025, Gjykata Kushtetuese kishte ritheksuar nevojën që Kuvendi të konstituohej brenda afatit prej 30 ditësh, duke sqaruar se afati fillonte të rridhte nga dita e shpalljes së aktgjykimit KO124/25.

“Kjo nënkuptonte që sipas aktgjykimit KO124/25, Kuvendi do duhej të konstituohej më së largu me 26 korrik 2025”, ka thënë Dehari.

Ai ka theksuar se edhe pas përfundimit të këtij afati, Kuvendi nuk ishte konstituuar.

“Të gjithë jemi dëshmitarë se konstituimi i Kuvendit nuk kishte ndodhur as pas afatit të ri 30-ditor të vendosur nga GJK, pra deri me datën 26 korrik 2025”, është shprehur ai.

Dehari ka kritikuar qasjen e opozitës gjatë vitit të kaluar, duke thënë se thirrjeve për votimin e konstituimit u ishte përgjigjur me kërkesën për një marrëveshje politike.

“Sa herë që u kam bërë thirrje deputetëve të opozitës vitin e kaluar që të votonin për ta konstituuar Kuvendin e të mos tejkalohej afati kushtetues, përgjigja e tyre ka qenë se ‘nevojitet marrëveshje politike’”, ka deklaruar Dehari.

Sipas tij, në atë kohë tejkalimi i afatit nuk ishte ngritur si problem, ndërsa Gjykata Kushtetuese, në aktgjykimet pasuese për çështjen e konstituimit, kishte kërkuar vazhdimin e përpjekjeve për konstituimin e Kuvendit.

“Asnjëherë nuk ishte problematizuar tejkalimi i këtij afati. Kurse nga vetë Gjykata Kushtetuese në aktgjykimet pasuese për çështjen e konstituimit, u kërkohej palëve të vazhdonin tentativat për konstituim pavarësisht tejkalimit të afatit, sepse nevoja për ta konstituuar Kuvendin i mbivendoset afatit”, ka thënë ai.

Dehari ka rikujtuar gjithashtu se pas zgjedhjeve të 28 dhjetorit, partitë opozitare e kishin precizuar kërkesën e tyre për një marrëveshje politike para formimit të institucioneve.

“Kërkesa e partive opozitare u precizua edhe më tej pas zgjedhjeve të 28 dhjetorit, duke insistuar që marrëveshja politike duhet të bëhet para formimit të institucioneve, përndryshe shkojmë në zgjedhje”, ka deklaruar Dehari.

Ai ka vlerësuar se thirrja e vazhdueshme e seancave pa një marrëveshje politike nuk do të prodhonte zgjidhje.

“Ne edhe mund të thërrasim seanca shterpë të cilat vetëm sa i irritojnë qytetarët, mirëpo përvoja nga dy legjislaturat e kaluara na ka mësuar që e vetmja mënyrë për institucione stabile dhe për të evituar zgjedhjet, është përmes një marrëveshjeje politike në mes të partive parlamentare”, ka thënë ai.

Në fund, Dehari ka bërë të ditur se në momentin kur do të ketë sinjale për një marrëveshje politike që do të mundësonte formimin e institucioneve dhe shmangien e zgjedhjeve, vazhdimi i seancës konstituive do të ishte vetëm çështje formaliteti.

“Momentin e parë që kemi sinjale për marrëveshje politike që siguron formimin e të gjitha institucioneve dhe evitimin e zgjedhjeve, ashtu siç e ka kërkuar edhe vetë Gjykata Kushtetuese në aktgjykimet e vitit të kaluar, pra që palët të merren vesh në vend se të ketë tentativa pa rezultat, thirrja e vazhdimit të seancës konstituive bëhet formalitet ceremonial”, ka deklaruar Dehari.


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme