Nga aktor në kompozitor, Sir Anthony Hopkins publikon albumin debutues “Jeta është një ëndërr” në moshën 88-vjeçare

Megjithëse njihet në mbarë botën për karrierën e tij të jashtëzakonshme kinematografike, legjenda e ekranit Sir Anthony Hopkins ka zbuluar se pasioni i tij më i hershëm ka qenë gjithmonë arti i tingullit. Në prag të publikimit të albumit të tij të parë debutues, i cili përmbledh gjashtë dekada kompozimesh, aktori 88-vjeçar ndan sfidat emocionale, kujtimet e fëmijërisë dhe rrugëtimin që e solli deri te kjo arritje e re artistike.
Liria e muzikës dhe kujtimet e fëmijërisë
I titulluar “Jeta është një ëndërr” dhe i regjistruar në Alexandra Palace të Londrës nën dirigjimin e Gustavo Dudamel, albumi me 12 kompozime do të dalë në treg më 21 gusht nga Decca Records. Duke reflektuar mbi këtë hap të ri, Hopkins pranon se edhe pas kaq vitesh suksesesh, dyshimet personale nuk e kanë lënë anash.
“Ka një pjesë të imja që thotë, ‘nuk e shkrove ti atë’. Si quhet? Sindroma e mashtruesit.”, tha ai.
Megjithatë, ai e konsideron muzikën si një formë arti shumë më të lirë krahasuar me disiplinën e rreptë që kërkon aktrimi. Për të, kompozimet pëfaqësojnë një udhëtim nostalgjik në rrënjët e tij.
“Bëhet fjalë për fëmijërinë time. Në thelb janë kujtimet e fëmijërisë sime dhe të rritjes në Uells, dhe zhvillimet e mia në jetë, vitet e mia të adoleshencës.”, komenton Hopkins.
Ndikimi i Bradley Cooper dhe bashkëpunimi me Dudamel
Një shtysë e rëndësishme për finalizimin e këtij projekti erdhi në mënyrë të papritur përmes aktorit Bradley Cooper, i cili e lidhi Hopkinsin me dirigjentin e njohur Gustavo Dudamel pasi pa një interpretim të mëparshëm të kompozimeve të tij. Duke folur për energjinë e këtij bashkëpunimi gjatë regjistrimit në Londër, Hopkins shpreh mirënjohje të thellë për mbështetjen e marrë.
Vlerësimi ka qenë i ndërsjellë, me vetë Dudamel që ka cilësuar qasjen e aktorit si atë të një rrëfimtari me instinkte poeti.
“E njëjta thellësi imagjinate, humaniteti dhe e vërteta emocionale që ka përcaktuar punën e tij të jashtëzakonshme në skenë dhe ekran është e pranishme në muzikën e tij.”, tha Dudamel.
Në përmbyllje të këtij kapitulli të ri, Hopkins nuk e fsheh qetësinë e tij përballë moshës dhe vdekshmërisë, duke shprehur dëshirën që ky rrugëtim muzikor ta dërgojë së shpejti në sallat e famshme të Carnegie Hall, për të përmbushur një premtim të hershëm ndaj nënës së tij.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




