Tërheqja graduale e KFOR-it nga Ura e Ibrit, NATO: Është përmirësuar situata e sigurisë, por procesi mund të përmbyset nëse është e nevojshme

NATO ka reaguar dy ditë pasi KFOR-i bëri të ditur nisjen e tërheqjes graduale nga prania e përhershme në Urën e Ibrit në Mitrovicë.
Në një reagim në platformën “X”, zëdhënësja e NATO-s, Allison Hart, tha se Aleanca po përshtat pozicionimin e misionit paqeruajtës KFOR me zhvillimet aktuale të sigurisë në Kosovë.
“NATO po punon për të siguruar që misioni ynë paqeruajtës në Kosovë, KFOR, të jetë i përshtatur me rrethanat aktuale, duke marrë parasysh përmirësimin e situatës së sigurisë. Nën udhëheqjen e qëndrueshme të komandantit të KFOR-it, gjeneralmajor Özkan Ulutaş, kemi filluar të përshtatim pozicionimin tonë, në koordinim të ngushtë me të gjitha autoritetet dhe palët relevante”, shkruan Hart.
NATO vlerëson se këto ndryshime pasqyrojnë përparimin e bërë në krijimin e një mjedisi të sigurt dhe të qetë për të gjithë qytetarët në Kosovë, si dhe garantimin e lirisë së lëvizjes.
Aleanca thekson se ndryshimi i pozicionimit bazohet në kushtet në terren, ndërsa nënvizon se procesi mund të përmbyset nëse situata e sigurisë e kërkon.
“Këto përshtatje dëshmojnë përparim konkret në mbështetjen e një mjedisi të sigurt dhe të qetë për të gjithë njerëzit që jetojnë në Kosovë, si dhe të lirisë së lëvizjes, në përputhje me mandatin e Rezolutës 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së të vitit 1999. Ky proces bazohet në kushtet në terren dhe mund të përmbyset, nëse është e nevojshme”, shkruan ajo.
Dy ditë më parë KFOR-i nis procesin gradual të largimit nga prania e përhershme në Urën Kryesore të Mitrovicës, duke ia kaluar gradualisht përgjegjësinë për sigurinë Policisë së Kosovës.
Procesi do të zhvillohet në mënyrë graduale dhe në koordinim me institucionet e Kosovës, Policinë e Kosovës, EULEX-in dhe aktorët e tjerë të sigurisë. KFOR-i thekson se do të vijojë të ketë prani të dukshme në Mitrovicën e Jugut dhe të Veriut, si dhe në pjesën veriore të Kosovës, duke ruajtur kapacitetet për t’iu përgjigjur çdo situate.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




