Arrestohet në Merdare një shtetas i Kosovës, dyshohet për spiunazh

Një shtetas i Republikës së Kosovës, me inicialet F.S., është arrestuar në pikën kufitare në Merdare, në Podujevë, nën dyshimin për kryerjen e veprës penale “Spiunazh”.
Arrestimi është kryer nga hetuesit e Policisë së Kosovës, përkatësisht nga Drejtoria për Hetimin e Krimit të Organizuar dhe Krimeve të Rënda, me urdhër të Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës.
Sipas autoriteteve, arrestimit i kanë paraprirë veprime hetimore të ndërmarra nga institucionet kompetente.
Prokuroria Speciale ka bërë të ditur se, në bashkëpunim me Policinë e Kosovës, do të vijojë hetimet me qëllim të zbardhjes së plotë të rrethanave të rastit dhe të sigurimit të provave përkatëse.
“Institucionet riafirmojnë përkushtimin për luftimin dhe ndjekjen penale, si dhe për sjelljen para drejtësisë të të gjithë personave për të cilët ekzistojnë dyshime të bazuara për përfshirje në veprimtari të kundërligjshme, në veçanti ndaj atyre që cenojnë sigurinë kombëtare”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë Speciale.
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




