Pas sherrit në lokal, 22-vjeçari rikthehet me armë për hakmarrje, policia parandalon vrasjen, 6 në pranga në Divjakë

Aktualitet | 2 muaj më parë

Një konflikt që nisi me përplasje fizike dhe përdorimin e sendeve të forta ka rrezikuar të kthehej në vrasje në Divjakë. Policia ka finalizuar operacionin e koduar “Crime Prevented”, duke vënë në pranga gjashtë persona dhe sekuestruar dy armë zjarri, njëra prej tyre me silenciator.

Ngjarja nisi pas një njoftimi të marrë nga Komisariati i Policisë Divjakë për një konflikt në një lokal në pronësi të shtetasit Z. K., 50 vjeç. Shërbimet e Policisë ndërhynë menjëherë dhe gjetën të dëmtuar nga përplasja me sende të forta shtetasit O. L., 22 vjeç, dhe Sh. Xh., 51 vjeç.

Pas marrjes së ndihmës mjekësore dhe përfundimit të deklarimeve, të dy u larguan drejt banesave të tyre.

Disa orë më vonë, Policia mori informacion në rrugë operative se O. L. ishte rikthyer në ambientet e lokalit i armatosur me një pistoletë me silenciator dhe dyshohej se kishte planifikuar të vriste Sh. Xh.

Ndërhyrja e menjëhershme e shërbimeve të Policisë bëri të mundur parandalimin e ngjarjes së rëndë.

Në vijim të operacionit, specialistët e Hetimit të Krimeve arrestuan gjashtë persona.

O. L., 22 vjeç, me precedent penal për prodhim dhe shitje narkotikësh në Shqipëri dhe Belgjikë, u kap me një pistoletë me silenciator, me fishek në fole dhe gati për qitje.

Në pranga u vu edhe K. S., 45 vjeç, me precedent penal në fushën e narkotikëve në Shqipëri. Gjatë kontrollit të automjetit të tij u gjet një armë zjarri pistoletë.

S. D., 28 vjeç, gjithashtu me precedent penal për narkotikë, dyshohet se drejtonte automjetin me të cilin O. L. ishte rikthyer në lokal.

Policia arrestoi edhe S. A., 30 vjeç, i cili, sipas autoriteteve, kishte tentuar të largonte armën nga automjeti i K. S.

Pronari i lokalit, Z. K., 50 vjeç, u arrestua për “Moskallëzim krimi”, ndërsa Sh. Xh., 51 vjeç, u arrestua për të njëjtën vepër, pasi gjatë hetimit rezultoi se nuk kishte dhënë të vërtetën e plotë lidhur me konfliktin.

Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan dy pistoleta, njëra me silenciator, katër automjete dhe gjashtë aparate celulare. Armët do t’i nënshtrohen ekspertimit.

Policia njofton se hetimet vijojnë për zbardhjen e plotë të rrethanave të konfliktit, përcaktimin e përgjegjësive dhe dokumentimin e veprimtarisë së dyshuar kriminale të personave të përfshirë.

Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Fier për veprime të mëtejshme.


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme