Përplasjet me PDK-në, Haxhiu: Stafi i Kuvendit të mos përfshihet në përplasjet politike

Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Albulena Haxhiu, ka reaguar pas kritikave të deputetëve të PDK-së ndaj mënyrës së komunikimit të Zyrës për Informim të Kuvendit, duke kërkuar që zyrtarët e administratës të mos bëhen pjesë e përplasjeve politike. Haxhiu ka theksuar se përgjegjësia për vendimmarrjen dhe qëndrimet politike u takon bartësve të mandateve politike, ndërsa stafi profesional duhet të kryejë detyrat e tij pa u përfshirë në debate mes partive. Sipas saj, çdo kundërshtim ndaj punës së saj duhet të drejtohet personalisht ndaj saj ose të paraqitet përmes procedurave institucionale.
“Një gjë duhet të jetë e qartë: mospajtimet dhe përplasjet politike duhet të mbeten mes atyre që mbajnë përgjegjësi politike”, është shprehur Haxhiu.
Ajo ka kundërshtuar edhe përpjekjet për t’u atribuar motive politike zyrtarëve që ushtrojnë funksionet e tyre në Kuvend.
“Nuk është e drejtë që zyrtarëve profesionalë t’u atribuohen motive politike apo të krijohet përshtypja se ata i shërbejnë një individi apo një subjekti politik vetëm pse po kryejnë detyrat e tyre”, ka deklaruar ajo.
Kryetarja e Kuvendit u ka bërë thirrje deputetëve që, nëse kanë pretendime konkrete për punën e stafit, t’i paraqesin ato me fakte dhe përmes mekanizmave përkatës. “Stafi profesional i Kuvendit nuk është palë në përplasjet politike”, ka theksuar Haxhiu, duke kërkuar që zyrtarët e institucionit të mos shënjestrohen apo vihen nën presion për shkak të detyrave të tyre.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




