Zjarret përfshijnë vendin nga veriu në jug, 14 vatra ende aktive. Flakët jashtë kontrollit në Lurë, Priskë, Elbasan dhe Krujë. Aktualisht s’ka rrezik për zonat e banuara
Situata e zjarreve vijon të mbetet problematike në disa qarqe të vendit, ku ekipet zjarrfikëse, Forcat e Armatosura, strukturat vendore dhe vullnetarët po punojnë për izolimin dhe shuarjen e vatrave aktive.
Deri në orën 18:00 të ditës së sotme janë raportuar 31 vatra zjarri, ndërsa aktualisht janë evidentuar 18 vatra: 14 aktive, 2 në monitorim dhe 2 nën kontroll.
Një nga zonat ku situata paraqitet më e rënduar është Gurë-Lurë në Dibër. Zjarri vijon me intensitet të lartë në dy drejtime, por perimetri pranë banesave është vendosur nën kontroll dhe deri tani është shmangur rreziku për banorët. Në terren ndodhen 120 forca bashkiake, 57 efektivë të FA-së, 15 policë, 15 vullnetarë dhe 9 punonjës të ADZM-së, ndërsa ndërhyrja mbështetet nga dy avionë Air Tractor.
Edhe në Lugaxhi të Elbasanit situata mbetet e rënduar, pasi flakët janë përhapur në kurorat e pishave. Forcat në terren po punojnë për frenimin e zjarrit, ndërsa nuk raportohet rrezik për zonat e banuara. Një vatër e re është evidentuar edhe në Shalës të Cërrikut.
Në Dajt, zjarri vijon mbi tunelet e Qafë-Mollës, ndërsa në zonën Priskë e Madhe–Gurrë–Farkë–Lundër po zhvillohen ndërhyrje të koordinuara nga toka dhe ajri. Në operacion janë angazhuar dhjetëra efektivë të MZSH-së, vullnetarë dhe helikopterë të Forcave të Armatosura. Sipas autoriteteve, nuk ka rrezik për zonat e banuara.
Në Abaze të Krujës, zjarri vijon aktiv, i favorizuar nga era. Forcat operacionale po punojnë për shuarjen e tij, me mbështetjen e një helikopteri të FA-së. Edhe në këtë zonë nuk raportohet rrezik për banesat.
Në Nëmerçkë dhe Dhëmbel të Përmetit, disa vatra vijojnë aktive në zona pyjore dhe kullota, ku terreni i vështirë e bën ndërhyrjen më të komplikuar. Në operacion janë angazhuar zjarrfikës, punonjës të sektorit pyjor dhe vullnetarë.
Ndërhyrje për izolimin e zjarrit po vijojnë edhe në Trojë të Mirditës, ku në terren ndodhen forca të MZSH-së, të bashkisë, policisë, vullnetarë dhe efektivë të Forcave të Armatosura.
Në Finiq të Vlorës, ndërhyrja vijon në Dhivër me forca të MZSH-së nga disa bashki, automjete zjarrfikëse, forca bashkiake dhe një helikopter të FA-së. Ndërkohë, vatra në Rumanxë është shuar plotësisht, ndërsa ajo në Dhrovjan është nën kontroll.
Sa i përket zonës Mallakastër–Patos, vatrat në Drenie, Lofkënd dhe Ngraçije janë izoluar dhe po monitorohen. Puna vijon në ekonominë pyjore të Gjinoqarës.
Në Kryezi të Fushë-Arrëzit, vatra është nën kontroll, ndërsa në Rrencë dhe Goraj-Budishtë vijon ndërhyrja për izolimin e plotë.
Në përballimin e situatës në të gjithë vendin janë angazhuar edhe kapacitete të konsiderueshme të Forcave të Armatosura. Vetëm nga FA janë në terren 309 efektivë, 22 mjete, një autobot, tre ambulanca, nëntë mjete zjarrfikëse, tre helikopterë dhe dy avionë Air Tractor.
Strukturat e emergjencave vijojnë monitorimin e të gjitha zonave, ndërsa prioritet mbetet izolimi i vatrave dhe shmangia e çdo rreziku për banesat dhe qytetarët.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.





