Tetë ditë luftë me flakët, izolohen vatrat në Gojan, aktive vatra në Prozhëm, dëme të mëdha
Pas tetë ditësh betejë intensive me flakët, situata e zjarreve në territorin e Bashkisë Pukë paraqitet më e qetë, ndërsa shumica e vatrave janë izoluar ose shuar. Megjithatë, dëmet e shkaktuara janë të mëdha, të cilat përllogariten në të paktën 3 mijë hektarë. Po ashtu janë djegur edhe 4 shtëpi, ndonëse ishin të pabanuara, por 2 prej tyre ishin kulla të vjetra me rëndësi të veçantë.
15 familjet e evakuara, pasi kaluan dy netë tek të afërmit, janë rikthyer sërish në shtëpitë e tyre. Ndërsa për autoritetet, zjarri ishte dukshëm i qëllimshëm.
“Megjithatë, forcat e Policisë së Shtetit, patjetër që në momentin e parë kur janë lajmëruar për këto vatra zjarri të evidentuara në malin e Tërbunit, pikërisht në Fushë, aty ku është evidentuar për herë të parë problematika, janë dislokuar, kanë marrë të gjitha masat e nevojshme dhe po punohet me të gjithë efektivët e Policisë së Shtetit, të cilët janë pranë Komisariatit të Pukës. Po kryhen hetimet e duhura për të parë nëse ka për t’u shoqëruar dikush më gjatë për situatën në fjalë apo jo.” – Holta Duda, Prefekte e Qarkut Shkodër
“Këto zjarre nuk janë aksidentale. Ne mund të themi se zjarret janë të qëllimshme.” – Rrok Dodaj, Kryetar i Bashkisë Pukë
Dëme të mëdha janë shkaktuar edhe në frutat e pyllit, që për dhjetëra familje ishin burim të ardhurash. Ndërkohë, Bashkia Pukë dhe emergjencat civile pritet që javën e ardhshme të nisin verifikimin në terren të dëmeve.
Forcat e Armatosura, në bashkëpunim me forcat operacionale vendore, po monitorojnë të gjithë perimetrin për të garantuar që situata të mbetet nën kontroll. Në zonën Prozhëm–Shkozë vijon puna për izolimin e plotë të vatrës së vetme aktive, e cila aktualisht nuk paraqet rrezik për banesat.
Operacionet po zhvillohen në të dy drejtimet me angazhimin e Forcave të Armatosura dhe strukturave vendore.
Edhe në malin e Tërbunit, në zonën Fushë Livadh, po kryhen verifikime dhe monitorim i vazhdueshëm, ndërsa vatrat e mëparshme rezultojnë të shuara plotësisht deri në këto momente.
Gazetare: M. Gjoni rtsh.al
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




