Mashtrimi me inteligjencë artificiale, 70-vjeçari humb 100 mijë euro, arrestohen dy persona në Tiranë

Aktualitet | 2 muaj më parë

Dy operacione të Policisë së Tiranës kundër mashtrimit dhe vjedhjes janë finalizuar gjatë 24 orëve të fundit. Në një prej rasteve, autorët përdorën inteligjencën artificiale për t’u paraqitur si persona të njohur të një 70-vjeçari, të cilit i morën 100 mijë euro.

Operacionet e koduara “Shuma” dhe “Imazhi” janë finalizuar nga specialistët e Sektorit për Hetimin e Krimit Ekonomik dhe Financiar dhe shërbimet e Komisariateve të Policisë Nr. 1 dhe Nr. 2 në Tiranë, pas hetimeve për raste mashtrimi dhe vjedhjeje.

Në kuadër të operacionit “Shuma”, policia arrestoi B. Serica, 31 vjeç, dhe S. Meta, 23 vjeç, ndërsa shpalli në kërkim R. H., 31 vjeç.

Sipas policisë, të tre dyshohet se përdorën inteligjencën artificiale për t’u paraqitur përmes mesazheve si persona të njohur të një 70-vjeçari, i cili ushtron aktivitetin e këmbimit të valutave.

Duke e bindur se ishin persona që ai i njihte, ata e mashtruan 70-vjeçarin për t’u dhënë 100 mijë euro, me premtimin se shuma do t’i kthehej pas disa orësh.

Pasi kaloi koha e premtuar dhe paratë nuk iu kthyen, 70-vjeçari njoftoi menjëherë Policinë.

Hetimet vijojnë për kapjen e personit të shpallur në kërkim, si dhe për identifikimin e personit që shkoi në subjektin e 70-vjeçarit dhe mori shumën e parave. Policia po punon gjithashtu për identifikimin e personave të tjerë që mund të jenë përfshirë në mashtrim.

Ndërkohë, në kuadër të operacionit “Imazhi”, u kap dhe u ndalua G. B., 37 vjeç, i shpallur më herët në kërkim.

Ai dyshohet se më 14 gusht 2026 ka marrë gjithsej 20 mijë lekë në dy biznese, në rrugët “Brigada VIII” dhe “Teodor Keko”, duke u thënë punonjësve se ishte i njohur i pronarëve dhe se do t’ua kthente paratë menjëherë.

Ndërsa më 21 gusht, sipas policisë, ai ka vjedhur një çantë me 25 mijë lekë brenda, në një subjekt në rrugën “Skënder Luarasi”.

Hetimet vijojnë për dokumentimin e plotë të veprimtarisë së dyshuar kriminale të 37-vjeçarit.

Materialet procedurale për të dyja rastet i janë referuar Prokurorisë për veprime të mëtejshme.

Policia e Shtetit u ka bërë thirrje qytetarëve dhe administratorëve të bizneseve të tregojnë kujdes të shtuar ndaj rasteve të mashtrimit dhe të mos japin para apo të dhëna personale te persona të paverifikuar, përfshirë rastet kur përdoren video ose materiale të krijuara me inteligjencë artificiale.

Policia kërkon gjithashtu që çdo rast të dyshimtë të denoncohet menjëherë, pasi bashkëpunimi me qytetarët ndihmon në identifikimin dhe kapjen e autorëve, si dhe në mbrojtjen e pasurisë.


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme