Pesë shqiptarë kthehen nga Siria, Rama: Vijon përpjekja për riatdhesimin e të tjerëve, një fillim i ri nën mbrojtjen e institucioneve

Kryeministri Edi Rama ka ndarë pamjet nga riatdhesimi i pesë shtetasve shqiptarë nga Siria në Shqipëri, duke garantuar se përpjekjet e autoriteteve shqiptare për kthimin e shtetasve të tjerë që ndodhen ende në Siri do të vijojnë.
Rama e cilësoi riatdhesimin një detyrim njerëzor dhe shtetëror, duke nënvizuar se personave të kthyer në Shqipëri do t’u garantohet mbështetja e institucioneve.
“Pesë shtetas shqiptarë, nga të cilët 3 të mitur, u riatdhesuan nga Siria pas një procesi të gjatë dhe të vështirë, ndërkohë që vijon përpjekja për riatdhesimin e atyre që kanë mbetur ende në Siri.
Një detyrim njerëzor dhe shtetëror, për t’u garantuar një fillim të ri nën mbrojtjen e institucioneve shqiptare”, deklaroi Rama.
Riatdhesimi i shtetasve shqiptarë nga zona të prekura nga konflikti është shprehje e përgjegjësisë së shtetit për mbrojtjen e qytetarëve të vet, edhe në rrethana të vështira dhe komplekse. Kthimi i tyre në atdhe përmbyll një fazë të rëndësishme të këtij procesi, por jo përgjegjësinë institucionale ndaj tyre. Pas mbërritjes në Shqipëri, shtetasve të riatdhesuar do t’u ofrohet asistenca e nevojshme dhe do të kryhen vlerësimet shëndetësore dhe psikosociale. Institucionet përgjegjëse do të vijojnë në mënyrë të koordinuar punën për akomodimin, rehabilitimin dhe riintegrimin e tyre në shoqëri.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




