Fuqitë botërore kritikojnë tarifat amerikane: Masat e reja të propozuara nga Washingtoni janë të pajustifikuara

Botë | 7 minuta më parë

Kina, Bashkimi Europian dhe disa prej ekonomive më të mëdha në botë kanë kundërshtuar propozimin e ri të Shteteve të Bashkuara për vendosjen e tarifave doganore, i cili erdhi pas përfundimit të një hetimi disa mujor të Uashingtonit rreth mbiprodhimit industrial në tregjet ndërkombëtare.

Tarifat e propozuara arrijnë deri në 20 për qind dhe mund të hyjnë në fuqi jo më herët se janari, pas një periudhe konsultimi publik. Kina, e cila përballet me tarifën më të lartë prej 20 për qind, reagoi ashpër duke paralajmëruar se do të marrë masat e nevojshme për të mbrojtur të drejtat dhe interesat e tij legjitime, ndërsa e cilësoi mbiprodhimin si një pretekst dhe i kërkoi Uashingtonit të rikthehet te dialogu dhe konsultimet.

Edhe Bashkimi Europian kundërshtoi arsyetimin e Uashingtonit, duke kërkuar respektimin e marrëveshjes tregtare të vitit të kaluar. Brukseli theksoi se të dyja palët ndajnë shqetësimin për mbiprodhimin global, por shprehu keqardhje për mungesën e një veprimi të përbashkët.

Japonia dhe Singapori gjithashtu mohuan akuzat amerikane për mbiprodhim. Sipas propozimit amerikan, India përballet me tarifa prej 17 për qind, ndërsa për BE-në, Korenë e Jugut dhe Tajvanin, që kanë marrëveshje tregtare me SHBA-në, tarifat do të kufizohen përgjithësisht në 15 për qind. Në një tjetër zhvillim, Uashingtoni propozoi tarifa shtesë edhe për mallrat braziliane, përfshirë avionët, duke nxitur reagimin e ashpër të Brazilit.

Nismat e reja vijnë në kuadër të përpjekjeve të presidentit Donald Trump për të riformësuar tregtinë globale, duke nxitur vendet e tjera të blejnë më shumë produkte amerikane ose të zhvendosin prodhimin në Shtetet e Bashkuara.

Megjithatë, tarifat mund të shtojnë presionin mbi bizneset amerikane, të cilat përballen tashmë me kosto më të larta, duke rritur rrezikun që këto shpenzime t’u kalojnë konsumatorëve përmes çmimeve më të larta.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme