Arrestimi i Agasit në Durrës, lëvizte me makinë me ish-policin e shpallur në kërkim. Kush është Uljan Shpataraku?

Ergys Agasi, i shpallur në kërkim nga SPAK në kuadër të hetimeve për dosjen e AKSHI-t, është arrestuar ditën e sotme në Durrës, ndërsa udhëtonte me një automjet së bashku me ish-policin Uljan Shpataraku, i cili gjithashtu ishte shpallur në kërkim nga policia.
Agasi është i përfshirë në dosjen AKSHI, ku SPAK po e heton për shkelje të barazisë në tendera, konkurrencë të paligjshme nëpërmjet dhunës, heqje të paligjshme të lirisë dhe veprimtari të një grupi të strukturuar kriminal.
Kush është Uljan Shpataraku, personi me të cilin Agasi po udhëtonte në momentin e arrestimit?
Shpataraku ka mbajtur më herët detyrën e Asistentit të Drejtorit të Departamentit për Teknologjinë e Informacionit (IT) në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit. Ai ka pasur një karrierë në strukturat e policisë, e cila u ndërpre pas nisjes së procedurave disiplinore ndaj tij.
Më 4 mars të këtij viti, Shpataraku u pezullua nga detyra me urdhër të ish-drejtorit të komanduar të Policisë së Shtetit, Sokol Bizhga.
Më pas, më 6 gusht të këtij viti, ai u shpall në kërkim pas një sherri të regjistruar në Dhërmi. Pas këtij episodi, policia e shpalli në kërkim.
Ndërkohë, së fundmi, me firmën e Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, Skënder Hita, Uljan Shpataraku është përjashtuar përfundimisht nga radhët e Policisë së Shtetit.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.



