Shqipëria dërgon 17 ushtarakë dhe një helikopter në KFOR, misioni deri në 2029

Aktualitet | 2 orë më parë

Forcat e Armatosura të Shqipërisë me personel dhe një helikopter, do marrin pjesë në operacionin ushtarak ndërkombëtar “KFOR”, Kosovë. Vendimi është botuar në Fletoren Zyrtare dhe përcakton detajet e angazhimit të Shqipërisë në misionin ndërkombëtar. Sipas vendimit, Shqipëria do të marrë pjesë në KFOR me 17 ushtarakë dhe një helikopter.

Personeli dhe helikopteri do të vendosen në kampin “Bondsteel”, në Ferizaj, Kosovë. Misioni i kontingjentit shqiptar do të jetë kryerja e mbështetjes nga ajri për forcat e KFOR-it gjatë detyrave të njohjes së terrenit, zbulimit dhe patrullimit.

Helikopteri do të përdoret gjithashtu në raste CASEVAC (evakuim mjekësor), SAR (kërkim-shpëtim), për transportin e personelit VIP dhe trupave, si dhe për mbështetjen e popullsisë në raste emergjencash civile, sipas planeve dhe marrëveshjeve të KFOR-it me Republikën e Kosovës.

Sipas vendimit, misioni do të zgjasë deri më 31 dhjetor 2029. Personeli ushtarak do të qëndrojë në mision me sistem rotacioni, deri në tre muaj për çdo kontingjent, ndërsa helikopteri do të qëndrojë deri në gjashtë muaj për çdo rotacion. Këtyre periudhave u shtohen edhe ditët e nevojshme për ndërrimin me kontingjentin pasardhës.

Ministria e Mbrojtjes do të përballojë shpenzimet për ushtarakët pjesëmarrës në mision. Sipas vendimit, ata do të përfitojnë 12 mijë lekë dietë për çdo ditë qëndrimi në mision, përveç pagës mujore.  Në shpenzimet që mbulohen nga Ministria e Mbrojtjes përfshihen edhe akomodimi, ushqimi, lavanteria, sigurimi i jetës, siguracioni shëndetësor jashtë zonës së operacionit, mbështetja shëndetësore, shpenzimet për telefon, internet dhe shërbime postare, transporti, si dhe shpenzime të tjera që lidhen me mbarëvajtjen e operacionit.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Të ngjashme