Lehtësohen procedurat për pronat dhe oborret, trajtim “në bllok” dhe zero kosto për legalizimin e ndërtimeve

Aktualitet | 1 orë më parë

Procesi i pajisjes me titull pronësie për ndërtimet pa titull, trojet funksionale dhe oborret në përdorim do të zhvillohet përmes procedurave më të lehtësuara dhe me më pak kosto për qytetarët. Ndryshimet e reja në Vendimin e Këshillit të Ministrave (VKM) nr. 827/2020, të cilat tashmë kanë hyrë në fuqi pas botimit në Fletoren Zyrtare, synojnë përshpejtimin e formalizimit dhe rritjen e sigurisë juridike.

Sipas Agjencisë Shtetërore të Kadastrës (ASHK), një nga risitë kryesore është mundësia e trajtimit të pasurive “në bllok”, sipas blloqeve kadastrale. Kjo metodë do të lehtësojë kryerjen e verifikimeve në terren për disa pasuri njëkohësisht, duke shkurtuar ndjeshëm kohëzgjatjen e procedurave administrative.

Heqja e tarifave dhe lehtësimi i kostove

Përveç përshpejtimit procedural, ndryshimet e reja sjellin edhe lehtësim financiar për qytetarët. Në rastet kur procedura e formalizimit nis kryesisht nga vetë ASHK-ja, për objektet me funksion banimi nuk do të aplikohet tarifa standarde e shërbimit:

Fshihet tarifa prej 3,000 lekësh për ndërtimet pa leje;

Fshihet tarifa prej 10,000 lekësh për objektet pa titull, trojet funksionale dhe oborret në përdorim.

Trojet deri në 300 m² dhe ndërtimet para vitit 1991

Ndryshimet përcaktojnë gjithashtu rregulla më të qarta lidhur me sipërfaqet e trojeve funksionale dhe oborreve në përdorim për ndërtimet e ngritura përpara vitit 1991.

Miratimi i dokumentit të pronësisë për sipërfaqen e truallit funksional deri në 300 m² do të bëhet falas në rastet kur trualli është në pronësi shtetërore, figuron me pronar të pavërtetuar ose kur nuk ka informacion mbi pronësinë, pavarësisht nëse në këtë sipërfaqe ka edhe ndërtime pa leje që lidhen me vetë subjektin. Përcaktimi i kësaj sipërfaqeje do të bëhet duke marrë në konsideratë nevojat reale të ndërtimit dhe kuadrin ligjor që ka qenë në fuqi në kohën e ndërtimit.

Përmes një njoftimi në rrjetet sociale, Kadastra Shqiptare konfirmoi se qëllimi kryesor i këtyre ndryshimeve mbetet përshpejtimi i formalizimit të pronës, lehtësimi i burokracisë dhe garantimi i të drejtave pronësore për qytetarët.

  • /rtsh.al/


    Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

    Të ngjashme