Tuchel për kulturën e futbollit anglez: Nuk e di nëse do të kem kohë që t’i mësoj të mbajnë topin!

Angli | 1 orë më parë

Thomas Tuchel pranon se mund të jetë tepër e vështirë për ekipin e tij të Anglisë që të praktikojë stilin e rafinuar të lojës me zotërim topi, të preferuar nga ekipet e tjera elitare ndërkombëtare.

Trajneri i Anglisë doli para mediave të premten për herë të parë pas humbjes së ekipit të tij në gjysmëfinalen e Kupës së Botës kundër Argjentinës dhe u përball me kritika lidhur me dështimin e skuadrës për të kontrolluar lojën gjatë turneut në Amerikë dhe Meksikë në verë.

Tuchel bëri një deklaratë të veçantë, duke thënë se pothuajse çdo tifoz i Anglisë me të cilin ishte takuar pas turneut kishte shprehur qëndrim pozitiv.

“E di se 99,9 për qind e tifozëve nuk flasin për zëvendësimet, ndryshimet taktike apo detajet taktike. Ata flasin për vendin ku e ndoqën ndeshjen kundër Meksikës dhe për energjinë e shfaqur në pjesën e dytë të ndeshjes me Kroacinë. Ata flasin për tensionin e madh gjatë ndeshjes sonë kundër Kongos dhe për vendet ku festuan. Ky është reagimi që marr unë. Kjo është ajo që kemi krijuar dhe kështu duhet të jetë”, tha Tuchel.

Realiteti më i ashpër është se, pavarësisht se ishte vetëm dhjetë minuta larg finales, loja e Anglisë në ndeshjet kundër Argjentinës, Norvegjisë dhe Republikës Demokratike të Kongos nuk ishte gjithmonë mbresëlënëse.

Dhe, pasi kishte deklaruar në ditën e prezantimit të tij dy vite më parë se donte që skuadra e tij të luante një futboll të shpejtë dhe intensiv, si në Premier League, të premten ai pranoi se është e vështirë ta ruash atë stil gjatë gjithë një turneu të gjatë veror. “Nuk është ekonomike,” tha gjermani.

Megjithatë, përpara ndeshjes së Ligës së Kombeve kundër kampionëve të botës, Spanjës, Tuchel pranoi se mendon që alternativa mund të jetë edhe më tepër e vështirë për t’u implementuar. “Jam duke e vrarë mendjen për këtë, sepse edhe nëse një skuadër e kontrollon lojën në Premier League, sa lojtarë anglezë ka në ato ekipe?”, tha Tuchel.

“A është kjo në ADN-në tonë? A e vlerësojmë vërtet kontrollin e lojës? A është kjo diçka që na bën të ndihemi mirë gjatë një ndeshjeje? A është diçka që na vjen natyrshëm? A e kuptojmë vallë që nëse e kontrollojmë mesfushën, gjithçka është në rregull? Gjithçka varet nga mënyra se si tifozët anglezë e shijojnë një ndeshje. Nuk mendoj se një tifoz anglez shkon në një ndeshje të Premier League-s dhe dëshiron të shohë një lojë të kontrolluar dhe një fitore 1-0 në minutat e fundit. Mendoj se, në thelb, lojtarët anglezë si dhe spektatorët, duan të luajnë në mënyrë agresive e sulmuese”, tha Tuchel. A.V.


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Të ngjashme