Tjetërsimi i 1143 hektarëve tokë në Fier, Gjykata lë në burg tre ish-zyrtarët e ASHK-së dhe në “Arrest shtëpie” përfituesin
Ish-drejtuesit e Agjencisë Shtetërore të Kadastrës (ASHK) në Fier dhe përfituesi i pronave janë paraqitur këtë të shtunë para togave të zeza në Gjykatën e Fierit, për t’u njohur me masat e sigurisë në kuadër të operacionit të koduar “Stolen Land”.
Të pandehurit Bardhyl Kapaj dhe Ertis Shehu (ish-drejtorë të ASHK-së Fier), Pirro Çela (specialist jurist), si dhe Kastriot Hyska (përfitues i pronave), akuzohen për përvetësimin e paligjshëm të rreth 1143 hektarëve tokë përmes dokumenteve të falsifikuara.
Hetimi për këtë rast kishte nisur që prej vitit 2025 me metoda proaktive nga Drejtoria Vendore e Policisë Fier në bashkëpunim me Prokurorinë pranë Gjykatës së Juridiksionit të Përgjithshëm Fier.
Vendimi i Gjykatës, tre në qeli, ndryshohet masa për përfituesin
Pasi shqyrtoi kërkesën e organit të akuzës dhe pretendimet e palëve, Gjykata e Fierit shpalli vendimin për vlerësimin dhe vazhdimin e masave të sigurisë për katër personat nën hetim:
Vazhdimin e masës “Arrest në burg” për ish-drejtorin E.S. (Ertis Shehu);
Vazhdimin e masës “Arrest në burg” për specialistin jurist P.Ç. (Pirro Çela);
Vazhdimin e masës “Arrest në burg” për ish-drejtorin B.K. (Bardhyl Kapaj);
Zëvendësimin e masës nga “Arrest në burg” në “Arrest në shtëpi” për shtetasin K.H. (Kastriot Hyska).
Gjykata urdhëroi lirimin e menjëhershëm të shtetasit K.H. nga qelia (nëse nuk mbahet për ndonjë vepër tjetër penale) dhe kalimin e tij në arrest shtëpiak, me ndalim të prerë për të mos braktisur banesën dhe për të mos komunikuar me persona të tjerë përveç anëtarëve të familjes.
Mbikëqyrja e vendimit dhe e drejta e ankimit
Ekzekutimi dhe kontrolli i zbatimit të masës së re të sigurisë “Arrest në shtëpi” për shtetasin K.H. i është ngarkuar Prokurorisë dhe Policisë Gjyqësore.
Pala e mbrojtjes dhe të hetuarit kanë të drejtën e ankimit ndaj këtij vendimi brenda 5 ditëve në Gjykatën e Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm në Tiranë, duke filluar nga e nesërmja e njoftimit zyrtar. Hetimet për këtë dosje vijojnë për të zbardhur plotësisht përfshirjen e mundshme të personave të tjerë në këtë skemë tjetërsimi.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




