Syri i Kaltër tërheq numër të lartë vizitorësh, fluks i shtuar turistësh gjatë fundjavës
Syri i Kaltër ka tërhequr një numër të lartë vizitorësh gjatë kësaj fundjave, duke mbetur një nga destinacionet më të preferuara turistike në jug të vendit. Fluksi i vizitorëve ka qenë i dukshëm si nga turistët vendas, ashtu edhe nga të huajt.
Vizitorët kanë zgjedhur këtë park natyror për bukuritë e tij unike dhe ujin kristal të kaltër, i cili mbetet një atraksion i veçantë për të gjithë ata që e vizitojnë.
“Është hera jonë e parë që vijmë në Syrin e Kaltër dhe jemi vërtet të impresionuar. Nuk e kishim imagjinuar që uji të ishte kaq i kaltër dhe kaq i pastër. Vendndodhja është e mrekullueshme dhe natyra këtu është diçka që nuk e shikon çdo ditë. Jemi shumë të kënaqur që e zgjodhëm këtë destinacion gjatë pushimeve tona në jug të Shqipërisë.”
“Ne kemi ardhur nga jashtë vendit dhe ky vend na ka lënë pa fjalë. Uji kristal, gjelbërimi dhe qetësia e zonës e bëjnë një eksperiencë shumë të veçantë. Është një nga vendet më të bukura që kemi vizituar deri tani dhe patjetër do ta rekomandonim për këdo që vjen në Shqipëri”, thanë disa tursitë.
Gjatë fundjavës, zona është karakterizuar nga një lëvizje e shtuar turistësh. Ndërkohë interesi për Syrin e Kaltër vijon të jetë i qëndrueshëm edhe në stinën e vjeshtës .
“Unë kam qenë edhe më parë në Syrin e Kaltër, por çdo herë më duket edhe më i bukur. Ka një atmosferë shumë të veçantë, dhe pavarësisht fluksit të turistëve, vendi ruan qetësinë dhe magjinë e tij. Është një destinacion që nuk të mërzit kurrë dhe gjithmonë të jep dëshirë të kthehesh përsëri”, tha njëri prej tyre.
Syri i Kaltër vijon të mbetet një nga destinacionet më të frekuentuara turistike në jug të Shqipërisë, duke tërhequr vizitorë të shumtë gjatë fundjavave dhe jo vetëm. Bukuritë natyrore dhe veçantia e tij e mbajnë këtë park ndër atraksionet më të rëndësishme të turizmit vendas.
Gazetare B.Gjyli
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.



