Vrasja e 44-vjeçarit në Sarandë, dalin detaje. Viktima, me precedentë të mëparshëm penalë, i arrestuar për plagosje me armë zjarri vitin e kaluar

Të tjera detaje janë publikuar në lidhje me atentatin e ndodhur mëngjesin e kësaj të diele (20 shtator) në Sarandë, ku u vra me armë zjarri 44-vjeçari i identifikuar si Artan Murtaj, i njohur edhe me pseudonimin “Tani Ruzhdiut”, ndërsa mbeti i plagosur edhe një kalimtar i rastit.
Atentati ndodhi në qendër të qytetit, ku dy persona të maskuar, të cilët lëviznin me motor, qëlluan me armë drejt Murtajt.
Artan Murtaj rezulton me precedentë të mëparshëm penalë dhe ishte i përfshirë edhe në një ngjarje të ndodhur në korrik të vitit të kaluar, ku u plagosën me armë zjarri Ernest Lama dhe Gëzim Hajdaraj, nga Kamza. Sipas hetimeve, autor i plagosjes dyshohet Ramadan Zoto, ndërsa Murtaj, Klaus Jacaj dhe Erjon Canaj akuzohen se e kanë ndihmuar autorin pas ngjarjes dhe gjatë largimit.
Pas kësaj ngjarjeje, në Sarandë nisi një seri episodesh të dyshuara hakmarrjeje. Me tritol u vra babai i Klaus Jacajt, Isuf Jacaj, ndërsa më herët ishte regjistruar edhe një rast i dëmtimit të pronës së Ramadan Zotos.
Për plagosjen e Lamës dhe Hajdarajt, në burg ndodhet Ramadan Zoto. Artan Murtaj dhe Klaus Jacaj, të akuzuar për “përkrahje të autorit të krimit”, janë liruar pak kohë më parë, ndërsa Erjon Canaj vijon të jetë në kërkim. Murtaj ishte i dënuar edhe më herët për vjedhje dhe, sipas të dhënave të hetimit, njihej si përdorues i lëndëve narkotike.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.



