Vrasja në Sarandë/ Skënder Hita kërkon hetime urgjente dhe goditje pa kompromis ndaj grupeve kriminale

Aktualitet | 1 orë më parë

Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Skënder Hita, zhvilloi sot një analizë të posaçme me strukturat e Komisariatit të Policisë Sarandë, pas ngjarjes së rëndë të ndodhur paraditen e së dielës, ku mbeti i vrarë me armë zjarri një 44-vjeçar dhe u plagos një 73-vjeçar, kalimtar i rastit.

Gjatë mbledhjes urgjente, Hita kërkoi hetime të shpejta dhe të thelluara, si dhe një skanim tërësor të situatës operative në territor.

Ai theksoi domosdoshmërinë e evidentimit të konflikteve, nga më të mprehtat deri te më të voglat, identifikimin e personave me precedent penal dhe të kontingjentit kriminal që vepron në zonë, përfshirë edhe elementët shëtitës.

Drejtori i Përgjithshëm kërkoi rezultate konkrete për dokumentimin e ngjarjes së rëndë kriminale të ndodhur sot, por edhe për ngjarje të kaluara.

Tashmë që sezoni turistik pothuajse ka mbaruar, fokusi i punës tonë do të jetë intensifikimi i hetimeve për dokumentimin e ngjarjeve kriminale, edhe të atyre të ndodhura vitet e kaluara. Goditja pa kompromis e grupeve kriminale që veprojnë në qytet dhe evidentimi i çdo veprimtarie të paligjshme të tyre është prioritet. Do t’ju mbështes me burime njerëzore, duke krijuar struktura të specializuara për hetimin e krimeve të rënda dhe kundër krimit të organizuar, por edhe me bazë logjistike. E rëndësishme është reagimi profesional dhe përkushtimi i strukturave aktuale,” u shpreh Hita.

Në lidhje me ngjarjen, po ushtrohen kontrolle intensive edhe nëpërmjet dronëve në territore të ndryshme të Sarandës dhe Delvinës.

Grupi hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë, vijon punën për administrimin e çdo prove që do t’i shërbejë hetimit dhe dokumentimit të plotë të ngjarjes.

 

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Të ngjashme