Kalërim mes maleve dhe detit, turizëm, adrenalinë dhe mundësi për vendasit
Kalërimi po shndërrohet në një nga mundësitë më interesante për zhvillimin e turizmit alternativ në jug të vendit. Përmes këtij turi, vizitorët kanë mundësinë të zbulojnë bukuritë natyrore të zonës, por edhe pasurinë e saj të veçantë kulturore e shpirtërore, duke qenë në kontakt të drejtpërdrejtë jo vetëm me natyrën, por edhe me njerëzit dhe traditat e zonës.
“E rezervova këtë udhëtim, të them të vërtetën, nuk e prisja shumë, por përvoja ishte e jashtëzakonshme dhe patjetër që do të kthehem përsëri në Shqipëri. Stafi, fermerët vendas dhe e gjithë përvoja në përgjithësi ishin thjesht fantastike. Patjetër që do të kthehem përsëri.”
“Më pëlqen shumë të udhëtoj dhe të shkoj kudo. Kisha parë disa foto të Shqipërisë dhe natyra më dukej kaq e larmishme dhe interesante saqë doja patjetër të vija. Pastaj gjeta këtë udhëtim me kuaj dhe mendova se nga shpina e kalit mund të shohësh të gjithë vendin në një mënyrë krejt tjetër.”
Ndërkaq, operatorët turistikë bëjnë me dije se turet e alternuara mes maleve dhe detit ofrojnë një përvojë më të pasur për vizitorët, duke ndërthurur aventurën, natyrën dhe adrenalinën.
Aurel Kallfa, operator turizmi, tha për RTSH: “Ky është një udhëtim që ka filluar të dielën dhe mbaroi sot. Kalorësit janë nga gjithë bota. Është kombinimi i malit, i malit për të arritur në det dhe për t’u kthyer përsëri pas nëpërmjet malit. Udhëtimi ishte aventuror. Nuk patëm shumë të papritura, përveç vapës.”
Nga malet te deti, kalërimi po kthehet në një mënyrë tjetër për të përjetuar jugun, larg turizmit tradicional. Një eksperiencë që bashkon natyrën, aventurën dhe kontaktin me njerëzit e zonës, ndërsa për vendasit krijon mundësi të reja për të siguruar të ardhura përmes shërbimeve që ofrojnë dhe për të zhvilluar ekonominë lokale.
Gazetare: Leonida Koçiu
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




