Furgon pasagjerësh humb kontrollin pranë Kasharit, disa të lënduar lehtë
Një aksident ka ndodhur këtë pasdite në autostradën Tiranë–Durrës, në afërsi të mbikalimit të Kasharit. Një furgon pasagjerësh ka humbur kontrollin dhe është përplasur me betonat anësorë të rrugës, duke u përmbysur në mes të karrexhatës.
Si pasojë, disa pasagjerë kanë pësuar dëmtime të lehta, kryesisht gërvishtje, pa rrezik për jetën.
Në vendngjarje kanë mbërritur forca të shumta policie, ambulanca dhe shërbimet zjarrfikëse, të cilat po punojnë për të nxjerrë pasagjerët dhe për të siguruar zonën.
Dëshmitarë që kanë kaluar pranë vendit të aksidentit raportojnë se ka persona të plagosur, ndërsa sipas tyre dy pasagjerë dyshohet se kanë mbetur të bllokuar poshtë mjetit.
Deri tani nuk ka informacion zyrtar për numrin e të lënduarve apo gjendjen e tyre shëndetësore.
Policia Rrugore ndodhet në vendngjarje dhe po heton për të sqaruar plotësisht rrethanat dhe shkaqet e aksidentit.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




