Kërkuan ndryshimin e masave të sigurisë, Apeli i GJKKO lë në fuqi arrestin me burgun për Ergys Agasin dhe Uljan Shpatarakun

Aktualitet | 2 orë më parë

Gjykata e Posaçme e Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar ka lënë në fuqi masat e sigurisë të caktuara nga Shkalla e Parë për Ergys Agasin dhe Uljan Shpatarakun, të cilët kishin ankimuar vendimet e gjykatës.

Agasi kishte ankimuar masën e sigurimit të caktuar ndaj tij, ndërsa Apeli i Posaçëm ka vlerësuar se vendimi i Shkallës së Parë duhet të mbetet në fuqi.

Të njëjtin qëndrim ka mbajtur Apeli edhe për Uljan Shpatarakun. Për ankimin e tij, i njëjti trup gjykues ka miratuar masën e sigurimit të caktuar nga Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë me vendimin nr. 63, datë 29 gusht 2026.

Kundër vendimit të Apelit mund të bëhet rekurs në Gjykatën e Lartë brenda 45 ditëve. Afati nis nga dita e nesërme e njoftimit të vendimit të arsyetuar.

Agasi u arrestua më 26 gusht, pas disa muajsh në arrati. Ai akuzohet për disa vepra penale, mes tyre “grup i strukturuar kriminal”, “konkurrencë e paligjshme nëpërmjet dhunës”, dhe “shkelje e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike”. Uljan Shpataraku, ish-punonjës i Policisë, akuzohet për veprën penale “Përkrahja e autorit të krimit”.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Të ngjashme