Prokuroria e Sarandës sekuestron dy objekte pa leje në Ksamil, në sekuestro hoteli 5-katësh dhe një tjetër ndërtim, masë sigurie për një shtetas

Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm, Sarandë, ka vendosur sekuestron preventive mbi dy objekte të ndërtuara pa leje në zonën e Ksamilit. Mes pasurive të bllokuara përfshihet struktura pesëkatëshe e njohur si “Central Park Premium Hotel”, si dhe një tjetër objekt njëkatësh me sipërfaqe prej 52.2 m², i ndodhur pranë tij.
Gjatë këtij operacioni, organet e drejtësisë kanë caktuar edhe masën e sigurimit personal “Arrest në shtëpi” për shtetasin me iniciale K.P.
Vendimet e organit të akuzës janë ndërmarrë në kuadër të procedimit penal nr. 522/2025. Hetimet po zhvillohen për veprat penale të “Ndërtimit të paligjshëm” (parashikuar nga neni 199/a-4 i Kodit Penal) dhe “Shpërdorimit të detyrës” (parashikuar nga neni 248 i Kodit Penal).
“Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Sarandë po vijon me kryerjen e veprimeve hetimore për identifikimin dhe individualizimin e përgjegjësisë për të gjithë shtetasit e përfshirë në këtë ngjarje,” njoftoi zyrtarisht organi i akuzës.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




