Mbi 2000 vendime legalizimi në 2026 në Shkodër, AKSH: Mbeten edhe 27 mijë aplikime për shqyrtim në shkallë qarku
Sipas drejtueses së degës së Agjencisë Shtetërore të Kadastrës në Shkodër, viti 2026 ka shënuar rezultatet më të larta të viteve të fundit sa i përket emitimit të vendimeve të legalizimit dhe regjistrimit të pronave.
“Mesatarisht, në muaj, nga SHK Shkodër prodhohen rreth 2,500–3,000 certifikata pronësie. Pra, aplikimet janë të përditshme’, u shpreh Eglantina Frroku, Drejtuese e ASHK ,Qarku Shkodër.
Për sa i përket legalizimeve, nga janari deri në mesin e shtatorit janë dhënë mbi 2000 vendime legalizimi. Ndërkohë, në shkallë qarku janë ende në shqyrtim rreth 27,000 aplikime.
“Ritmi i kryerjes së punës në vitet e mëparshme ka qenë shumë i ulët, për hir të së vërtetës, dhe kjo ka krijuar një stok shumë të lartë të dosjeve që janë aktualisht në proces. Pak a shumë, në një normativë mesatare, plus-minus, janë rreth 27 mijë dosje. Vjet, ne kemi gjetur një stok prej 30 mijë dosjesh”, tha ajo.
Pavarësisht thjeshtimit të procedurave përmes aplikimit online në e-Albania, në dyert e Hipotekës së Shkodrës vijon të ketë prani të lartë të qytetarëve që kërkojnë përshpejtimin e procedurave. Sipas drejtueses së ASHK Shkodër, vonesat lidhen kryesisht me mungesën e dokumentacionit të nevojshëm nga ana e vetë aplikuesve.
“Duhet sqaruar gjithmonë, sepse unë ua them edhe qytetarëve: jo çdo shërbim për regjistrim në Kadastër automatikisht përkthehet në një certifikatë pronësie. Procedura e regjistrimit të titujve kalon edhe nëpër disa hallka të tjera, që janë plotësimet e dokumentacionit. Në rast se aplikimi bëhet i saktë, dokumentacioni për të cilin është dorëzuar prona përputhet 100% me numrat tanë të pasurisë në administrimin e regjistrave të pasurive të paluajtshme dhe përputhja e materialeve hartografike është 100% e saktë. Absolutisht që qytetari pajiset me dokumentin e certifikatës së pronësisë” theksoi ajo.
Përveç procesit të legalizimeve, gjatë vitit 2026 Kadastra e Shkodrës ka shtuar punën në terren për verifikimin teknik dhe matjen e rreth 3 mijë e 400 aplikimeve që lidhen me shtëpitë e vjetra dhe oborret në përdorim, me fokus të veçantë në lagjet historike të qytetit
Gazetar: A. Hoti
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.



