Përfundon faza e aplikimeve për 40 pozicione “Hetues” në BKH, 979 kandidatë në garë

Aktualitet | 1 orë më parë

Byroja Kombëtare e Hetimit (BKH) ka njoftuar mbylljen e afatit të dorëzimit të aplikimeve për procedurën e rekrutimit të 40 hetuesve të rinj. Sipas të dhënave zyrtare, pranë këtij institucioni janë regjistruar gjithsej 979 aplikime.

Pas kësaj faze, procesi do të vijojë me verifikimin paraprak të dokumentacionit për secilin kandidat, në përputhje me ligjin nr. 95/2016 “Për organizimin dhe funksionimin e institucioneve për të luftuar korrupsionin dhe krimin e organizuar” dhe rregulloren përkatëse të rekrutimit.

Aplikantët që do të kalojnë me sukses verifikimin e dokumenteve do t’i nënshtrohen fazave pasuese të konkurrimit, të cilat përfshijnë testimet dhe vlerësimet profesionale; verifikimin e rreptë të integritetit dhe kontrollin e kushteve të sigurisë.

Njoftimi i rezultateve të fazës së leximit të dokumentacionit, si dhe detajet mbi datën, orën dhe vendin e zhvillimit të testimeve të ardhshme, do t’u komunikohen kandidatëve përmes kanaleve zyrtare të komunikimit.

BKH nënvizoi se “mbetet e angazhuar për garantimin e një procesi konkurrues transparent, të paanshëm dhe të bazuar plotësisht në meritokraci e integritet profesional.”

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Të ngjashme