Presidenti Begaj dekreton shkarkimin e Vlora Hysenit nga drejtimi i SHISH-it

Aktualitet | 2 orë më parë

Presidenti i Republikës, Bajram Begaj, ka dekretuar sot zyrtarisht shkarkimin e zonjës Vlora Hyseni nga detyra e Drejtorit të Shërbimit Informativ të Shtetit. Dekreti i kreut të shtetit u ndërmor në mbështetje të nenit 93 të Kushtetutës dhe ligjit nr. 8391 “Për Shërbimin Informativ të Shtetit”, me propozim të Kryeministrit Edi Rama.

Ky vendim vjen pas masës së sigurimit “Arrest në shtëpi” dhe “Pezullim nga detyra” të vendosur ndaj saj nga Gjykata e Posaçme me kërkesë të SPAK-ut.

Më herët, përmes një reagimi nga Nju Jorku ku po merr pjesë në punimet e Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së, Kryeministri Edi Rama bëri të ditur se lirimi nga detyra i drejtores do të jetë i menjëhershëm, duke theksuar se çdo dyshim i ngritur nga organet e akuzës duhet të zbardhet nga një proces i pavarur gjyqësor.

“Çdokush është i pafajshëm deri në gjykimin përfundimtar, po askush nuk është mbi ligjin në asnjë rast e për asnjë arsye,” deklaroi Rama, duke nënvizuar se pas kthimit në Tiranë do të konsultohet me Presidentin e Republikës për zgjedhjen e drejtuesit të ri të SHISH-it.

  • /rtsh.al/

     


    Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

    Të ngjashme