Lezhë/ “Target 4”, në pranga 26-vjeçari, sekuestrohen 338 doza droge

Aktualitet | 2 orë më parë

Policia ka vënë në pranga një 26-vjeçar në Mamurras, i dyshuar për shitjen e lëndëve narkotike, pas një hetimi dymujor me metoda proaktive. Në pranga ka rënë shtetasi D. Sh., 26 vjeç, banues në Mamurras.

Sipas Policisë, gjatë hetimeve u dokumentua veprimtaria e 26-vjeçarit në fushën e prodhimit dhe shitjes së lëndëve narkotike.

Në hyrje të qytetit të Mamurrasit, në një objekt të improvizuar, policia gjeti të fshehura, dyshohet me qëllim shitjen, 338 doza Cannabis Sativa. Nga këto, 194 doza ishin në formë të dyshuar Cannabis Sativa, ndërsa 144 doza ishin në trajtë “gelato”, me përqindje të lartë THC-je.

Gjithashtu, gjatë kontrollit u sekuestruan sasi të tjera të lëndës Cannabis Sativa dhe kokainë, si dhe dy peshore elektronike, dy telefona celularë dhe një automjet. Operacioni antidrogë, i koduar “Target 4”, është finalizuar nga specialistët e Seksioneve për Hetimin e Narkotikëve dhe për Mbështetjen Operacionale të Hetimit, në drejtimin e Prokurorisë. Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë për veprime të mëtejshme.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Të ngjashme